Altin Gjokaj, e ardhmja e ndritur për portën e Kosovës: Kam ëndërr të madhe të jem pjesë e kombëtares A

E ardhmja e Kosovës duket të jetë e ndritur në futboll. 

Talentët kosovarë vazhdojnë çdo ditë e më shumë të ofrojnë sinjale të mëdha pozitive, shkruan GazetaBlic.

Njëri prej talentëve që meriton vëmendje të madhe është edhe “gardiani” i talentuar, Altin Gjokaj, i cili aktivizohet tek skuadra e Drenicës.

Tashmë ai është ftuar edhe te Kombëtarja e Kosovës U-17, atje ku natyrisht ka lënë mbresa duke luajtur si titullar.

15-vjeçari është pjesë e grupmoshës U19 të Drenicës, por  stërvitet me skuadrën seniore të kësaj skuadre.

Në një intervistë për GazetaBlic Sport, portieri nga Skenderaj është shprehur jashtëzakonisht i lumtur që është pjesë e grumbullimit tek Kosova U-17.

Me Kosovën U-17 jam duke kaluar shumë mirë, për mua është kënaqësi e madhe që t’i mbrojë ngjyrat e shtetit. Ndeshja me Bullgarinë ka qenë shumë e mirë, por në disa raste fati na mungoi. Shpresojmë që në ndeshjen e radhës të dalim fitimtarë” tha fillimisht Gjokaj për GazetaBlic.

Më pas ai foli edhe për ëndrrën e madhe që një ditë të jetë pjesë e Kombëtares A të Kosovës.

Normalisht si çdo futbollistë tjetër kosovarë edhe unë kam ëndërr të madhe që një ditë ta veshë fanellën e Kombëtares së Kosovës. Do të punojë shumë e do të angazhohem që kjo ëndërr e madhe të bëhet realitet” përfundoi Gjokaj.