Alonso humb fillimin e Formula 1

Formula 1 ka lënë takim për 13 marsin, ditën e provave të para të lira të sezonit 2015, por Fernando Alonso nuk do të jetë. Lajmi u bë i ditur nga McLaren që konfirmoi mungesën e spanjollit në garën e parë sezonale, Cmimin e Madh të Australisë.
Pas incidentit të 22 shkurtit në kthesën numër 3 të pistës së Montmelo ende nuk është sqaruar shkaku i vërtetë i aksidentit, sipas mjekëve spanjolli është mirë, por ka ende nevojë për pushim, ndaj nuk do të garojë në Cmimin e parë sezonal.
Mediat gjermane së fundmi bënë të ditur se pas aksidentit, Fernando ishte aq konfuz sa fliste italisht dhe kujtonte se ishte ende te Ferrari. Lajme që u përgënjeshtruan nga njerëzit që i rrinë afër pilotit dhe që duken si spekullime që janë ndërtuar rreth të vetmit lajm të qartë, atij që në momentin kur u nxorr nga mjeti, Fernando Alonso ishte për disa momente pa ndjenja dhe më pas ishte në gjendje konfuzioni për shka të asaj që kishte ndodhur. Më vonë në qendrën mjekësore Alonsos ju diagnostikua një amnezi.
Kjo javë është shumë e rëndësishme pasi brenda 15 ditëve nga impakti i pësuar, sipas protokollit mjekësor që ka të bëjë me tronditjet cerebrale, është e nevojshme të kalohet një test mjekësor për të verifikuar nëse kanë mbetur pasoja , në mënyrë që spanjolli të marrë miratimin e stafit mjekësor për të garuar. me shumë mundësi pjesë e stafit do të jetë edhe një mjek i FIA-s, Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit. Ky afat kohor skadon të dielën e 8 marsit, ekzaktësisht një javë para fillimit të sezonit.