Allegri: Monaco, lëndimet, Tevez…

Titulli i katërt kampion radhazi në Itali është gjithnjë e më pranë, dhe me kampionatin thuasje të hipotekuar Juventusi mund ta përqëndrojë të gjithë vëmendjen te dy sfidat cerekfinale të Champions League ndaj Monacos. 14 pikë epërsi ndaj Romës kur kanë mbetur edhe 9 ndeshje nga përfundimi i Serisë A janë një avantazh i konsiderueshëm për armatën e Massimiliano Allegrit, prandaj edhe trajneri i bardhezinjëve e pranon se tashmë futbollistët e tij duhet të mendojnë vetëm për Monacon, një kundërshtar të cilin Allegri e cilëson si shumë të vështirë për tu kaluar.

“Ua kam thënë edhe futbollistëve që do të jetë shumë e vështirë të luajmë përballë tyre, teknikisht Monaco nuk vlen sa Borussia Dortmundit por gjithsesi është një skuadër për tu marrë seriozisht në konsideratë. Ne nuk duhet të mendojmë që jemi më të fortët në këtë duel pasi mund ta pësojmë si Arsenali. Monaco ka bërë mirë në këtë edicion të Championsit. Për mendimin tim do të kemi përballë një kundërshtar shumë të rrezikshëm”.

Më pas Allegri foli për gjendjen në të cilën ndodhen lojtarët e dëmtuar, ndaj Empolit ishte Arturo Vidal ai që la fushën për arsye fizike.

“Marchision do ta kemi në dispozicion në gjysmëfinalen e kthmit ndaj Fiorentinës në Kupën e Italisë, Pirlon shpresojmë ta kemi gati për sfidën e parë ndaj Monacos. Vidal ndaj Empolit mori vetëm një goditje në kavilje asgjë më tepër. Për Paul Pogbanë është herët të flasim ai po vazhdon me fazën e riafëtësimit”.

Me mbrritjen e tij te bardhezinjtë Massimiliano Allegri i ka dhënë një tjetër dimension skuadrës bardhezi, madje ky Juventus konsiderohet nga të gjithë më i fortë se ai që drejtohej nga Conte. Gjithsesi trajneri 47-vjecar nuk kërkon të mbajë meritat për vete dhe ia faturon ato futbollistëve. Sipas tij dy lojtarët e momentit te Juventusi janë Lichtsteiner dhe Tevez. “Lichtsteiner vrapon shumë, tashmë ka rigjetur edhe gjendjen e duhur fizike , ai është një futbollist që mendon vetëm për skuadrën prandaj i lejohet edhe ndonjë gabim. Tevez është i jashtëzakonshëm. Forma e tij gjatë kësaj periudhe nuk më surprizon aspak”.