Allegri: Ja si duhet të fitojmë

Massimiliano Allegri është i kënaqur edhe më një fitore minimale ndaj Sassuolos në sfidën që do të zhvillohet në “Juventus Stadium”. Trajneri bardhezi e ka të qartë se duhet të ekonomizojë forcat për sfidën e kthimit të fazës së 1/8 të Championsit në transfertë me Borussian e Dortmundit.

“Nuk është e thënë se duhet të fitojmë me rezultat të thellë. Në këtë fazë të kampionatit duhet të jemi shumë praktikë, pra do të kënaqesha edhe me 1:0, mjafton që të marrim tri pikët”.

Juventusi i 2015 po pëson shumë gola, por ky fakt sipas Allegrit lidhet me ndryshimet e shumta në formacion për shkak të kalendarit të ngjeshur.

“Është e pamundur që 12 lojtarë të luajnë 50 ndeshje. Organika jonë është kompetitive në të gjitha kompeticionet. Sigurisht që nuk duhet të pësojmë gola të thjeshtë. Titulli? 9 pikë diferencë me Romën nuk janë shumë, sepse ka shumë ndeshje deri në fund të kampionatit”.

Në fund të konferencës Allegri kujtoi se pret më shumë nga Vidal, ndërsa për Pogba u shpreh se ka bërë gjëra të mëdha, por duhet të gjejë ekuilibrat në aspektin personal.