Allegri injoron Interin, s’i grumbullon futbollistët kryesor

Do të jetë një Juventus i cunguar nga mungesat ai që do të zbresë në San Siro këtë të Shtunë në derbin e Italisë përballë Interit. Massimiliano Allegri ka lënë pushim për takimin me zikaltrit plot 5 titullarë.

Buffon, Tevez, Evra, Vidal dhe Pirlo nuk janë grumbulluar nga numri 1 i stolit të bardhezinjëve megjithatë sipas trajnerit livornez edhe ata që do të luajnë do të japin maksimumin për të nderuar fanellën në ndeshjen përballë rivalit të madh të Juves në Serinë A.

“Në këtë ndeshje do të kenë mundësi të luajnë disa lojtarë që janë aktivizuar më pak gjatë muajve të fundit. Kjo vjen edhe sepse të Mërkurën kemi një ndeshje akoma më të rëndësishme për të zhvilluar, pikërisht finalen e Kupës së Italisë ndaj Lazios. Të gjithë jemi me mendjen nga Berlini por nuk duhet të harrojmë që edhe Kupa e Italisë është një objektiv i rëndësishëm pasi ky trofe mungon në shtëpinë e Juventusit prej 20-vjetësh. Gjithsesi nuk duhet të harrojmë që luhet Inter-Juventus një sfidë speciale për kampionatin italian. Do të shkojmë në San Siro për të zhvilluar një ndeshje të bukur”.

Më pas Allegri u rikthye të fliste për objektvin Champions dhe për avancimin e Juventusit deri në finale.

“Është një arritje e madhe të mbërrish deri në finalen e Championsit. Askush se priste dicka të tillë në fillim të sezonit por jemi në finale me meritë pasi ja kemi dalë të zhvillojmë ndeshje të mëdha sic bëmë edhe në Madrid. Tashmë kemi më shumë besim te aftësitë tona. Dimë t’i interpretojmë më mirë ndeshjet”.