Albert Bunjaki rrëfehet për formën e Kosovës, ndryshimet në stafin teknik, Superligën si dhe të ardhmen

Ish-trajneri i Përfaqësueses së Kosovës në futboll, Albert Bunjaki është rrëfyer në një bisedë të gjatë me “Zeri.info” në lidhje me pikëpamjet e tij për “Dardanët”, situatën aktuale te Përfaqësuesja, Superligën e Kosovës, formën e lartë të Mirlind Dakut dhe të ardhmen e tij.

“Dardanët” pas pranimit në UEFA dhe FIFA debutuan në eliminatoret e Kupës së Botës 2018 nën drejtimin e Bunjakit.

Pas largimit të tij nga detyra, erdhi zvicerani Bernard Challandes, i cili e nisi mbarë aventurën me Kosovën, duke e fituar Ligën D të Kombeve, dhe duke e dërguar skuadrën pranë Kampionatit Evropian “Euro 2020”.

Megjithatë, tani gjërat nuk duken të jenë në binarë, pasi “Dardanët” nuk kanë fituar që një vit si dhe e humbën mundësinë e kualifikimit në “Euro 2020” pas humbjes nga Maqedonia e Veriut në gjysmëfinalen e “play-offit” këtë muaj.

Image

Fillimisht, Bunjaki ka analizuar paraqitjet e fundit të Kosovës, derisa thotë se kalimi i Kosovës në Ligën C të Kombeve është real.

“Përfaqësuesja e Kosovës padyshim ka pasur zhvillim gjatë gjithë kohës që nga krijimi i saj dhe se është normale tani pas 20 ndeshjeve ndërkombëtare ta dimë saktë kapacitetin e saj”, ka thënë fillimisht Albert Bunjaki për “Zeri.info”, duke vazhduar:

“Pra, për momentin është reale që ne jemi në grupin C dhe këtu do gjendemi për disa vite deri sa të marrim hapin tjetër që sigurisht do vjen me kalimin e kohës”.

Ai ka thënë se është e çuditshme se si UEFA e lejon të nis një garë akoma pa përfunduar një tjetër, duke iu referuar edicionit të kaluar dhe atij aktual të Ligës së Kombeve.

“Të them të drejtën është paksa e çuditshme pasi UEFA po lejon të nis një garë pa përfunduar e para dhe kur kësaj i shtohen rrethanat e pandemisë, e bëjnë shumë të komplikuar. Duhet të kemi durim dhe me kohë gjërat do të zhvillohen më tutje. Për momentin ky është kapaciteti ynë”, tregon më tej Bunjaki.

Se a duhet të ketë ndryshime te “Dardanët” në prag të ndeshjeve të radhës pas rezultateve të dobëta kohëve të fundit, Bunjaki tha:

Image

“Te ndryshimet duhet urgjent të mendojmë për ta rritur konkurrencën në pozicione, sidomos në atë të portierit, mesfushorit qendror dhe deri diku te qendërmbrojtësit. Jemi shumë të ndjeshëm me mungesën e disa lojtarëve dhe kjo ndikon shumë”.

“Te stafi teknik? Kjo është një pyetje për FFK-në dhe jo për mua. Por personalisht mendoj se stafi teknik aktual duhet të ketë përkrahje”, potencoi Albert Bunjaki.

Më tej, Bunjaki ka analizuar edhe edicionin aktual në Superligë, duke thënë se ky vit është i Ballkanit.

“Për aq sa kam parë ky vit do të jetë i Ballkanit dhe këtu shoh natyrisht edhe Dritën dhe Gjilanin që mund të kyçen në luftën për titullin e kampionit”, tha Bunjaki.

Bunjaki ka folur edhe në lidhje me atë nëse ndonjë futbollist që luan në Superligën e Kosovës ka kapacitet të luajë për Përfaqësuesen A.

“Mendoj se Daku është shumë afër ftesës dhe jam i sigurtë se shumë shpejt mund të ftohet, por mos të harrojmë se Superliga e Kosovës dallon nga garat ku Kosova është duke marrë pjesë, por për aq sa kam parë, jam i bindur se Daku do të jetë te Kosova A, por edhe në një ligë më të fortë”, theksoi ish-trajneri i Kosovës.

Për fund, Bunjaki ka thënë se do t’i rikthehet futbollit, derisa zbulon se është duke pritur ndonjë ofertë nga FFK-ja.

“Për momentin jam në pritje të një oferte nga FFK-ja për bashkëpunim, por e gjithë kjo është në dorën e tyre. Kam shpreh interesim për bashkëpunim. Si gjithmonë jam i gatshëm të kontribuoj në vendin tim dhe jam shumë i motivuar për një projekt të ri”, përfundoi të enjten për “Zeri.info” Albert Bunjaki.