Akademia unike gjermane për zhvillimin e talentëve zbarkon në Kosovë

E para e këtij lloji në Ballkan. Një akadami me kushte gjermane që do të veprojë në Kosovë.

Enver Muzliukaj është nismëtar i projektit për ndërtimin e një akademie të futbollit për fëmijë dhe moshat 15-18 vjeçare.

I ardhur nga Gjermania bashkë me kompaninë ‘SoccerQ’, Muzliukaj mëton të ndërtojë një akademi super-moderne në vendlindjen e tij, Mitrovicë, për zhvillimin e talentëve të rinj të futbollit kosovar.

Në një bisedë për Gazetën Olle, nismëtari i këtij projekti tregon se kjo akademi do të jetë një ‘regjim ushtarak’ për talentët e futbollit, ndërsa më e mira është që gjithçka do të jetë falas për të përzgjedhurit.

“Do të jetë një shkollë me kushte gjermane në Kosovë. Gjithçka do të jetë e standardit gjerman. Do të përzgjidhen të rinjtë nga U15, U16, U18 dhe do të punohet me ta pesë ditë në javë në mënyrë intensive”, tregon Muzliukaj.

“Kjo akademi nuk do të jetë konkurrencë për askënd, as klubet e as shkollat tjera të futbollit, pasi do të ketë një punë unike. Edhe klubet mund t’i propozojnë vetë lojtarët për të qenë pjesë e akademisë. Ideja është të përfitojnë të gjithë ata që nuk i kanë kushtet financiare për ta shfrytëzuar në maksimum talentin e tyre për futboll”.

I gjithë ky projekt kap vlerën e 0.5 milionë eurove dhe është bashkëfinancim mes disa investitorëve gjermanë. Një nga ta është Dieter Gerstung, drejtor ekzekutiv në kompaninë ‘SoccerQ’, e cila do të bëjë përcjellën dhe monitorimin e talentëve.

“Është një projekt për t’u ofruar të rinjve mundësinë për të zhvilluar talentin e tyre. Kemi bashkëpunim me klube nga Gjermania si Stuttgarti e Hoffenheimi”, u shpreh Gerstung.

Kjo kompani projekte të tilla ka realizuar në Gjermani e Austri, ndërsa një nga atutë kryesore të këtij sistemi është që talentët të zhvillojnë një jetë sociale të duhur.

“Tek kjo akademi nuk mjafton vetëm futbolli. Edukimi dhe mirësjellja janë atribute me rëndësi që do t’i marrim parasysh në përzgjedhjen e talentëve”, përfundoi Muzliukaj. /Gazeta Olle/