Ajet Shosholli iu kundërpërgjigjet Plisave

Tifozët e Prishtinës, Plisat, bënë thirrje gjatë së premtes nëpër Facebook, për të përkahur në mënyrë masive skuadrën e zemrës në takimin e nesërm me mitrovicasit.

Mirëpo, thirrja e tyre ishte e veçantë, pasi kërkuan që kundërshtarin ta dërgojnë në një rang më të ulët garash.

“Prishtina – Trepça, të shtunën nga ora 13:00. Ndeshja e fundit Trepça – Prishtina as që ishte përfunduar. E tash, hajdeni të ndihmojmë klubin e zemrës drejt titullit, e Trepçën ta qojmë në Ligë të dytë”, thuhej në njoftimin e tyre.

Ndërkohë, trajneri i Trepçës, Ajet Shosholli, ka thënë se gjërat e tilla nuk janë sportive.

“Ato janë gjëra, së pari jo sportive, dhe primitive për mua. Kushdo që e dëshiron këtë, le ta dijë se Trepça ka traditë dhe është ekipi i parë që ka luajtur në Ligën e Parë të ish-Jugosllavisë, dhe kjo ka ndodhur në vitin 1976/77 dhe unë kam qenë pjesë e asaj Trepçe”, kujton Shosholli për Gazetaolle.com.

“Trepça ka bagazh të madh, dhe shikuesi duhet të jetë tifoz i skuadrës së vet, dhe jo kundër futbollit. Për mua është shumë primitive dhe naïve thirrjet e tilla. Tifozët e rinj nuk i dinë shumë gjëra, por për Trepçën këto janë të vërteta. Tek e fundit, edhe në Ligën e Parë (Kategoria e dytë) luhet futboll”, deklaroi ish-trajneri i Prishtinës. (Gazeta Olle)