Agim Maliqi: Ja si u zhvillua miqësorja Sion – Hajvalia

Hajvalia tash e ditë ndodhet për përgatitje në Zvicër. Skuadra nga paralagjia e Prishtinës, do të qëndrojë në shtetin helvetik plot 15 ditë. Ekipi i drejtuar nga Mentor Miftari, të shtunën (dje) e zhvilloi edhe një ndeshje miqësore me skuadrën e elitës së futbollit zviceran, Sion. Derisa pjesa e parë përfundoi 2:1 në të mirë të Sionit, pjesa e dytë u mbyll me fitoren 5:1 të zviceranëve.

Ndihmëstrajneri i Hajvalisë, Agim Maliqi, flet në një prononcim nga Zvicra për Gazetaolle.com. “Pjesa e parë ka qenë shumë e mirë ndërkohë që në të dytë, u theksua përgatitja më e mirë e Sionit dhe pësuam humbje. Ka qenë një pritje fantastike dhe nëpërmjet mediumit tuaj, dua që t’i falënderojë të gjithë bashkëatdhetarët tanë në Zvicër e Gjermani për përkrahjen. Kanë qenë rreth 3500 shikues në stadium, kryesisht shqiptarë. E gjithë kjo u organizua falë sponsorëve të klubit”, deklaroi Agim Maliqi.

Tutje, ai vlerësoi se përgatitjet e hajvaliasve e që do të shërbejnë për edicionin e ardhshëm në elitën e futbollit kosovar, janë duke shkuar jashtëzakonisht mirë.