Agim Ademi priti klubet e promovuara në një rang më të lartë të garave

Presidenti Agim Ademi ka pritur sot drejtuesit e klubeve të cilat janë promovuar në një rang më të lartë të garave për edicionin e ri. Klubet e promovuara janë FC Feronikeli 74, KF Fushë Kosova dhe KF Liria në Superligë, KF Shkëndija dhe KF Dinamo në Ligën e Parë, si dhe KF Opoja dhe KF Deçani në Ligën e Dytë. Po ashtu, pjesë e këtij takimi ishte edhe përfaqësuesi i KFF Presingu, klub ky i promovuar në Superligën e futbollit të femrave.

Gjatë këtij takimi, në të cilin ishte i pranishëm edhe anëtari i KE-së, Ismajl Ajeti, i pari i FFK-së i përgëzoi klubet për suksesin e arritur si dhe për angazhimin dhe punën e palodhshme që po bëjnë në përpjekje për të rritur nivelin e garave në të gjitha kategoritë. Ai po ashtu vlerësoi përpjekjet e klubeve në përmirësimin e cilësisë, derisa vuri në pah se Federata po bën çmos me të gjitha mekanizmat e saj për të krijuar kushte sa më të mira për zhvillimin e futbollit në vendin tonë.

Kreu FFK-së, gjithashtu, uroi që këto klube t’i japin një imazh të ri ligave në të cilat do të garojnë dhe të kontribuojnë në ngritjen e mëtejshme të cilësisë së futbollit. Presidenti Ademi shprehu shpresën që klubet e reja të vazhdojnë të bëjnë përpjekje të mëdha për të përmirësuar veten dhe të promovohen në nivele më të larta të garave.

Për t’i promovuar zyrtarisht këto klube në ligat përkatëse, presidenti Ademi i dhuroi secilit përfaqësues të klubit flamurin me stemën e FFK-së si shenjë nderimi për suksesin e arritur, derisa i inkurajoi të vazhdojnë të punojnë me përkushtim në të gjitha aspektet, në mënyrë që futbollistëve dhe tifozëve të tyre t’u krijojnë kushte sa më të mira.

Prishtina e huazon Fitim Susurin në Ligën e Parë

Endrit Krasniqi dhe Ardian Limani zgjedhin numrat e ri te Shkëndija