Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës ka folur pas përfundimit të ndeshjes Gjilani – Ballkani që u luajt në Suharekë, ku suharekasit e festuan titullin e dytë rresht në histori të klubit.
Ademi i uroj klubet për sukseset e arritura, ndërsa ka thënë se futbolli kosovar është ngritur.
“Suksese të gjithëve që kanë shkuar në Evropë. E kemi edhe finalen e Kupës. Besoj se do të jetë ndeshje interesante. Edhe fituesi i Kupës do të zgjojë kërshëri te shikuesit”.
Për Ademin nuk ka asnjë problem në futbollin kosovar, pasi si duket ai nuk i ka shikuar xhirot e fundit ku fituesit e ndeshjeve diheshin para fillimit të tyre nga tifozët duke komentuar në rrjetet sociale.
“Skuadrat që janë larguar u dëshiroj sukses në të ardhmen, ndërsa sukses u dëshiroj edhe skuadrave që janë inkuadruar në Superligë. Po bëjmë gjithçka që është e mundur për ngritjen e futbollit”.
“Liga jonë sigurisht është ngritur tanimë në UEFA. Uroj që ekipet tona të paraqiten sa më mirë dhe të ngrihemi edhe më lartë në Evropë. Kjo e përmirëson edhe futbollin dhe ekipet tona”, është shprehur ndër të tjera Ademi.