Afrim Muçiqi thotë se Prishtina është gati për arenën ndërkombëtare

Muçiqi mendon se Prishtina është e gatshme për Evropë.

Ai është i bindur se kryeqytetasit do ta fitojnë Kupën e Kosovës dhe do të dalin në arenën ndërkombëtare. Sipas tij, Prishtina ka luajtur ndeshje ndërkombëtare ende pa i pranuar FFK-ja në UEFA e FIFA.

“Mendoj se Prishtina do të jetë në Evropë, sepse Prishtina ka qenë kaherë në Evropë, edhe pse nuk kemi qenë të pranuar. Ju e dini se ne kemi zhvilluar mbi 13 ndeshje ndërkombëtare. Kemi shite futbollistë kur askush nuk na ka njohur me pasaportë te Republikës së Kosovës, jemi duke e pritur atë datë historike, sepse të gjithë e presim atë datë, ishalla vjen ajo datë sa më shpejtë dhe të pranohemi, ndërsa Prishtina është gati për Evropë. Ne jemi në garë për Kupën e Kosovës dhe mendoj se do ta fitojmë Kupën dhe jam shumë i sigurt se do ta fitojmë Kupën e Republikës së Kosovës dhe do ta prezantojmë Kosovën ashtu siç është më së miri, ashtu siç e kemi prezantuar edhe pa na njohur askush”, ka theksuar Muçiqi për Kosova press.

Ndërkaq sa i përket garës për titull të kampionit, Muçiqi thotë se të gjitha skuadrat nga Prishtina e deri te Feronikeli janë në garë për kreun e tabelës.