Afrim Jashari: Ja kush e fiton titullin

Ish-trajneri që me shumë sukses e drejtoi Drenicën gjatë edicionit të kaluar, Afrim Jashari, i favorizon komshinjtë nga Drenasi, Feronikelin, për titullin kampion. Ai e thotë këtë duke u bazuar në përforcimet e bëra dhe në orarin e ndeshjeve.

“Favorit për mua janë Feronikeli, Hajvalia, Prishtina, Trepça ’89 dhe Besa. Feronikeli ka një orar shumë më të përshtatshëm, ndërsa Prishtina e përforcuar dhe Hajvalia me ndryshime, mbeten kandidat serioz. Trepça ’89 është kandidati i parë nga plani i dytë për të konkurruar, ndërsa aty mbetet edhe Besa që ka lojtar kualitativ. Përfundimisht besoj që Feronikeli ka përparësi, sidomos pas angazhimit edhe të Xhevdet Shabanit dhe të Egzon Gashit”, deklaroi Jashari për Gazetën Olle.

“Sa i përket rënies, mendoj që asnjë ekip që është më poshtë se vendi i pestë, nuk është i rehatshëm. Do të ndikojnë shumë gjëra, sidomos problemet financiare”, vazhdoi Jashari.

Ai në fund flet edhe rreth angazhimit të tij në ndonjë skuadër si dhe jep mendimet për Drenicën e Tahir Lushtakut.

“Kohëve të fundit kam qenë i angazhuar në marrjen e licencave, ndërsa tani jam në pritje të ofertave. Klubet vendosin nëse un iu duhem atyre, unë nuk jam person imponues, jo nga mendjemadhësia por nga modestia. Drenica? Kam dëshirë që ta shoh sa më lart, sepse ajo është frymarrja ime për 35 vite të jetës. Janë dobësuar pas disa largimeve, por unë iu dëshiroj suksese të mëdha”, përfundoi Jashari. /Gazeta Olle