Afërdita Fazlija: Shumë peripeci, por jemi gati për Estoninë!

Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave në futboll i ka nisur përgatitjet për ndeshjen e radhës kualifikuese kundër Estonisë. Dardanet janë grumbulluar dje në hotel “Venus”, derisa sot kanë kryer dy seanca stërvitore në stadiumin “Agron Rama” nën drejtimin e përzgjedhëses Afërdita Fazlija dhe asistentëve Veton Çitaku, Sanije Krasniqi e Besart Ismajli.

Për dallim nga herët e kaluara, kësaj radhe për shkak të pandemisë, Kombëtarja në duel me estonet do të hyjë me futbolliste të klubeve të Superligës, me përjashtim të Erëleta Memetit dhe Edona Kastratit që iu kanë bashkëngjitur ekipit gjatë ditës së sotme.

Ndonëse me një grup të ri të futbollisteve dhe me forca nga kampionati vendor optimizmi për sukses nuk mungon.

Entuziazmi, vullneti dhe dëshira për paraqitje sa më dinjitoze vërehet te secila prej lojtareve të grumbulluara, por brengë mbetet forma fizike, duke pasur parasysh se aktiviteti i futbollit të femrave në Kosovë është ndërprerë që një kohë të gjatë për shkak të pandemisë.

Ndeshja ndërmjet Kosovës dhe Estonisë do të zhvillohet të premten në stadiumin “Fadil Vokrri”.

“Për këtë grumbullim kemi pasur shumë peripeci, ngase kemi qenë të kufizuar vetëm në lojtare nga kampionati vendor. Madje, është dashur që edhe para grumbullimit t’i bëjmë testet për Covid-19 dhe realisht deri pas daljes së rezultateve nuk kemi qenë të sigurt se cilat lojtare do t’i kemi në dispozicion”, deklaroi përzgjedhësja Afërdita Fazlija.

“Prandaj, ky grumbullim nuk ka dallim prej jetës aktuale që po e kalojmë gjithsecili prej nesh si pasojë e pandemisë. Jo vetëm në Kosovë, por në përgjithësi në botë pandemia e ka prekur më shumë futbollin e femrave. Përveç lojtareve të Mitrovicës që kanë stërvitur në grup, lojtaret e tjera janë përpjekur ta mbajnë formën e tyre vetëm me stërvitje individuale, prandaj ajo që më brengos më shumë është se sa do të arrijmë të jemi në nivelin e duhur fizikisht”.

“Estonia është një ekip solid dhe që ka përvojë shumë më të gjatë se ne, por ne nuk do të jemi indiferent dhe do të hyjmë për fitore. Prej sot optimizmi është edhe më i madh, ngase na janë bashkuar Erëleta Mehmeti dhe Edona Kastrati”, shtoi ajo.