Ademi: Me punën që është bërë dhe po bëhet, stadiumi “Zahir Pajaziti” do ta marrë licencën nga UEFA

Kryetari i FFK-së, Agim Ademi po vazhdon vizitat e tij në stadiumet kosovare. 

Gjatë ditës së sotme, Ademi vizitoi stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë. 

Ademi gjatë vizitës në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë është shprehur i kënaqur me mirëmbajtjen që i është bërë impiantit në stadiumin ku ndeshjet si vendas i zhvillon klubi i Llapit.

I pari i FFK-së është shprehur i bindur se me punën që është bërë në këtë stadium, UEFA do ta licencojë atë për ndeshje ndërkombëtare të ekipeve kosovare.

Postimi i plotë i Agim Ademit në Facebook:

Sot e vizitova stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, i cili është bërë një ndër arenat më të bukura sportive në vend.

Ky stadium është i gatshëm për edicionin e ri, derisa fusha është në gjendje shumë të mirë.

Tani kanë mbetur të plotësohen edhe disa kritere dhe më pas do të ftohet Komisioni i UEFA-s për licencim dhe kategorizim të stadiumeve.

Sigurisht se me punën që është bërë dhe po bëhet, ky stadium do ta marrë licencën për ndeshje ndërkombëtare të ekipeve tona.

Jam i kënaqur me mirëmbajtjen e mirë të këtij impianti dhe uroj që të vazhdohet kështu edhe në të ardhmen.

Ky stadium ka arritur në këtë nivel në saje të Memorandumit të Bashkëpunimit për investim të përbashkët ndërmjet MKRS-së, FFK-së dhe Komunës së Podujevës, derisa vitin e kaluar FFK ka investuar sërish në shtrimin e fushës natyrale. A.A

/Gazeta Olle/

Operohet me sukses futbollisti i Gjilanit

Kërkohej nga skuadra e madhe e Superligës, Seferaj vazhdon karrierën në këtë klub