Abazi kujton ditën më të keqe të jetës, shikon përpara

Dëmtimi në gju është një kujtim i largët për Leonit Abazin që tashmë ka marrë plotësisht formën e dëshiruar, por mbi të gjitha ka fituar edhe një vend në formacion te Skënderbeu në pjesën e dytë të sezonit.

Pa dyshim që kjo është një arritje e rëndësishme për ish-mesfushorin e Dritës së Gjilanit, i cili gjatë një interviste për ‘Panorama Sport’ flet mbi gjithçka, që nga kryesimi i kampionatit e deri te rifitimi i formacionit me ekipin nga Korça.

Leonit, jeni kthyer sërish në një lojtar të rëndësishëm te Skënderbeu, i kënaqur nga kjo mundësi?

Abazi: Të tregohem i sinqertë nuk e prisja që të kisha një pozicion kaq të rëndësishëm te Skënderbeu, sidomos pas atij dëmtimi të rëndë që pësova sezonin e kaluar. Të paktën nuk e prisja të ndodhte kaq shpejt. Megjithatë, jam i kënaqur që kam arritur të kap sërish maksimumin tim dhe po kërkoj që të përmirësohem dita-ditës.

Ai dëmtim tashmë për ju mbetet vetëm një ëndërr e keqe?

Abazi: Me shumë punë arrita ta largoj më në fund. Ishte një natë e keqe ajo e Shkodrës para një viti dhe mendoj se ka qenë dita më e keqe që kam kaluar deri tani. Por, për fat të mirë ia dola.

Pas rikuperimit ju është dashur edhe shumë kohë për t’u rikthyer Abazi i mëparshëm…

Abazi: Normalisht, duhej shumë kohë që të rikuperohesha dhe kuptohet që rikthimi do të vononte. Për këtë isha shumë i sigurt, por të paktën jam kthyer sërish dhe siç e thatë ju, jam Abazi i mëparshëm, por me një pozicion të ri.

Pikërisht për këtë do t’ju pyesja, roli i mbrojtësit të majtë si ju duket?

Abazi: Duhet të falënderoj trajnerin Josa që pati durimin të më mësonte dhe të më qëndronte pranë për të perfeksionuar këtë rol të ri. Nuk ka qenë edhe aq i ri për mua, pasi kam luajtur edhe më parë në të tillë pozicion, por jo kaq vazhdimisht.

Tashmë keni fituar vendin e parë në klasifikim. Por, a e ka forcën ekipi për ta mbajtur këtë vend deri në fund?

Abazi: Vendin e parë e kemi marrë me meritë para dy javësh dhe besoj se kjo nuk ka asnjë dyshim. Pyetja juaj nuk më duket se qëndron deri në fund, pasi ne e kemi treguar edhe edicionet e kaluara se kemi ditur të mbajmë kryesimin sa herë që e kemi marrë. Kështu nuk ka asnjë dyshim për këtë.

Po, por këtë vit kampionati është më i fortë se më parë. Sa për kujtesë, luani në udhëtim me dy prej rivalëve… 

Abazi: Kjo nuk na tremb aspak. Kur të vijë koha e tyre do të mendojmë për ta. Tani do të punojmë me kujdes për ndeshjen e radhës. E kemi treguar edhe më parë se nuk ka qenë e pamundur të fitojmë në udhëtim me Tiranën, por edhe me Kukësin kemi zhvilluar lojëra të mira.