Abazi flet pas barazimit të dytë ndaj Bullgarisë: I kënaqur me angazhimin e futbollistëve

Përfaqësuesja e Kosovës U17 ka barazuar pa gola edhe në miqësoren e dytë me Kombëtaren e Bullgarisë të kësaj grupmoshe.

Ashtu sikurse në ndeshjen e dy ditëve më parë, edhe kësaj radhe djelmoshat e rinj dardanë u angazhuan maksimalisht.

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës U17, Arsim Abazi, pas ndeshjes u shpreh i kënaqur me lojën e djelmoshave të tij dhe me faktin që edhe ndeshjen e dytë arritën të marrin rezultat pozitiv.

“Paraqitja e sotme ka qenë shumë e mirë. Dëshira dhe angazhimi i lojtarëve për të mbrojtur ngjyrat e vendit të tyre është i jashtëzakonshëm”.

“Të gjithë lojtarët kanë treguar lojë shumë të mirë dhe të disiplinuar, edhe pse më shumë se 25 minuta kemi luajtur me një lojtar më pak. Por, në atë periudhë të lojës djelmoshat tregun karakter luftarak në fushë dhe arritëm që edhe këtë ndeshje ta mbyllim pa gola”.

“Ashtu sikurse në miqësoren e parë edhe këtë herë i kemi aktivizuar të gjithë lojtarët që kishim në dispozicion dhe me secilin prej tyre jam i kënaqur me atë çfarë kanë treguar. Tani e kemi një pasqyrë reale të secilit dhe na mbetet që të vazhdojmë me punë për të krijuar ekip sa më konkurrues dhe kompakt”, ka thënë Abazi.

/Gazeta Olle/