A po frikësohet trajneri i Rilskit nga atmosfera e Plisave?

Trajneri i BC Rilski Sportist, Rosen Barchovski, është i sigurt se ekipi i tij do të bëjë paraqitje më të mirë ndaj Sigal Prishtinës, sesa në dy ndeshjet paraprake ndaj ekipit kosovar këtë edicion.

“Pres që të luajmë shumë më mirë se në dy ndeshjet e para gjatë sezonit të rregullt, kur na mposhtën me rezultat bindës dhe ne nuk luajtëm mirë. Mendoj se tash është një situatë ndryshe. Jemi në formë më të mirë dhe shpresoj që të gjithë të jenë mirë fizikisht”, deklaroi fillimisht trajneri i klubit bullgar për Balkanleague.net, përcjell Zëri.

“Natyrisht, unë pres një lojë mjaft të vështirë në Prishtinë, por mendoj se ne mund ta kontrollojmë lojën dhe pikët. Nuk mendoj se, ajo që ndodhi në ndeshjet e kaluara, do të ndodh prapë”, vazhdoi ai.

“Ne do të shkojmë për të luajtur në Kosovë për herë të katërt këtë sezon. Ne kemi luajtur në një atmosferë të tillë dhe kemi fituar dy herë në Pejë, kështu që unë nuk mendoj se kjo mund të ndikojë shumë tek lojtarët. Ekipi im po luan mjaft mirë në udhëtim këtë sezon, të cilën e pëlqej shumë. Nuk jam i brengosur për atmosferën”, përfundoi Barchovski.