A po ‘dhezin’ të huajt në Kosovë?

Kohëve të fundit është shtuar fluksi i basketbollistëve të huaj në Kosovë. Ata shkojnë e vijnë sa hap e mbyll sytë, pa lënë ndonjë gjurmë në basketbollin e këtushëm. Aq i madh ishte numri i lojtarëve të huaj që zbarkuan në Kosovë muajt e fundit, saqë është e vështirë t’i numërosh.

Ata prezantoheshin si yje e që në të vërtetë ashtu ishin në të kaluarën, por kur po zbresin në vendin tonë, paraqitjet e tyre po janë shumë të zbehta. Sigal Prishtina e kishte prezantuar si një lojtar të madh dhe të paparë ndonjëherë në basketbollin kosovar, amerikanin Desmon Farmer, ndërsa Peja së fundmi e prezantoi Chris Smithin, por asnjëri nga ta nuk dha kontribut. Këso raste janë shënuar me bollëk në Kosovë, shkruan Zëri.

E njohësit e basketbollit i fajësojnë menaxherët e huaj, të cilët, sipas tyre, u propozojnë klubeve të Kosovës lojtarë të dështuar.

“Një gabim, së pari i kryesisë, i drejtorit apo kryetarit, të cilët iu besojnë menaxherëve të ndryshëm, të cilët sigurisht se i lavdërojnë klientët e tyre dhe i mashtrojnë kryesitë e klubeve. Basketbollistët që vijnë mund të jenë krejtësisht jashtë formës apo të lënduar”, thotë për “Zërin” trajneri Masar Nixha.

“Mendoj se Shtabi Teknik është ai i cili duhet t’i përzgjedhë përforcimet, duke ua shikuar CV-të dhe kontinuitetin, pasi basketbollistët po bëjnë CD të montuara dhe nuk duhet të mashtrohemi nëse kanë luajtur dy minuta në NBA. Duhet të verifikohet mirë karriera e tyre. Në këtë rast, përgjegjësi duhet të japin ata që i sjellin këta lojtarë dhe për dështime duhet edhe të japin dorëheqje nga pozitat e tyre”, vazhdoi profesori.

Ndërkohë, trajneri tjetër, Naser Oskaqek, po ashtu kërkon nga kryesitë e klubeve të mos iu besojnë shumë menaxherëve, të cilët po mundohen vetëm ta “shesin mallin”.

“Kjo ndodh pasi menaxherët i ofrojnë lojtarët e dyshimtë, të cilët nuk e kanë kualitetin e duhur e as përgatitjen si duhet. Klubet duhet t’i përcjellin më gjatë lojtarët, para se t’i transferojnë”, tha trajneri prizrenas për Zërin.

Miftari: S’kemi dështuar

Drejtori i Sigal Prishtinës, Florian Miftari, e pranon se klubi i tij ka bërë ndryshime gjatë këtij sezoni, por insiston se nuk ka dështuar në këtë aspekt. Ai ka treguar për secilin lojtar, një nga një, të cilin e kanë marrë prishtinasit.

“Nga Aaron McGhee kemi marrë dëmshpërblim, që s’ka ndodhur ndonjëherë në basketbollin e Kosovës. Pas tij ka ardhur për një muaj Gary McGhee. Tek Bowie nuk ia kemi qëlluar, ndërsa Farmer nuk e ka kaluar testin fizik. Mos harroni se kemi arritur të sjellim lojtarë të kalibrit të Bavqiqit dhe Trajkovskit, të cilët nuk është aspak e lehtë t’i transferosh. Fundja, në tërë botën ndërrohen lojtarët, ndodh edhe çdo javë”, nënvizoi Miftari.