A meriton ftesë nga Kombëtarja ky futbollist?

Në një vit kalendarik mund të ndryshojnë shumë gjëra. Por, në vitin kur Shqipëria do të marrë pjesë në finalet e Euro 2016, ajo që bie lehtësisht në sy është fakti se të gjithë duan të shkojnë në Francë me Kombëtaren shqiptare.

Kjo vlen edhe për Donis Avdijajn, djaloshin me origjinë nga Istogu, por të lindur në Gjermani.

Një lojtar i rritur te Akademia e Schalkes, që pas refuzimeve të Kombëtares së 19-vjeçarëve dhe ekipit shpresa, në qershor të vitit 2015, nuk pranoi as ftesën e trajnerit De Biasi, për të luajtur në miqësoren e fituar 1-0 me Francën në Elbasan Arena.

Pas të gjitha këtyre refuzimeve, Donis Avdijaj është shfaqur së fundmi në një video, ku i veshur me bluzën e grupimit Tifozat Kuq e Zi, deklaronte se i ka thënë “Po” Shqipërisë dhe se e do flamurin shqiptar, të cilin e ka në gjak dhe në zemër.

Deklaratat e sulmuesit, që luan te Sturm Graz i huazuar nga Schalke elektrizuan ambientin dhe tifozët.

Por, fakti është se fjalët kanë ardhur pas refuzimeve të një pas njëshme dhe vetëm pak muaj përpara pjesëmarrjes së Kombëtares në Euro 2016.

Evenimenti në Francë do të ishte një vitrinë e shkëlqyer edhe për talentin 19-vjeçar, për të cilin Schalke ka vendosur një klauzolë me vlerë 49 milionë euro për prishjen e kontratës.