A janë pjesë e Gjilanit dyshja Qëndrim Dautaj dhe Ardin Dallku? Bylbyl Sokoli jep përgjigjen e shumëpritur nga Skifterat

Qëndrim Dautaj dhe Ardin Dallku kanë mësuar të ardhmen e tyre, shkruan Gazeta Olle.

Dyshja që thuhej se ishin në prova tek Gjilani, tashmë i kanë të sigurta kontratat e tyre.

Këtë fakt për “Gazetën Olle” e ka konfirmuar edhe trajneri i SC Gjilanit, Bylbyl Sokoli.

Gjatë një bisede me Gazetën Olle, “profa” tregoi se përgatitjet kanë shkuar mirë, futbollistët kanë dhënë maksimumin dhe se Dautaj e Dallku janë pjestarë të Gjilanit qysh prej ditës kur kanë ardhur në skuadër, dhe nuk kanë qenë aspak në prova siç raportohej.

“Përgatitjet kanë shkuar shumë mirë, kemi edhe shumë punë për të bërë ende, por me rëndësi është se të gjithë futbollistët po japin maksimumin për të gjetur formën dhe për të qenë gati”

“Dallku dhe Dautaj nuk kanë qenë në prova siç aludohej, ata janë anëtar të SC Gjilanit dhe kanë treguar formë shumë të mirë në këto ditë”- u shpreh Sokoli për “Gazetën Olle”.

Gjilani tregoi performanca të mira në fazën përgatitore të zhvilluar në Durrës, skuadra do të provojë të bëjë befasinë në Superligë gjatë verës ndërsa sigurisht objektivi kryesor mbetet triumfi në Kupën e Kosovës.

Dueli i parë zyrtar i pranverës për “Skifterat” do të jetë pikërisht ai i kupës kundër Istogut. /GazetaOlle/