A ia vlen që të tansferohen futbollistë të huaj?

Për dallim nga vitet e kaluara, në këtë pranverë pritet që futbolli ynë të ‘pushtohet’ nga lojtarët e huaj.

Ka afrikanë, aziatikë, ka edhe ukrainas…

Mirëpo, a ia vlen që të investohet në lojtarë të huaj kur dihet se futbolli ynë nuk është i pranuar ndërkombëtarisht dhe parat që derdhen, nuk kthehen prapa.

Gazeta ka marrë një prononcim nga trajneri Agron Selmani. “Vajtje-ardhje të futbollistëve të huaj do të ketë edhe në të ardhmen në futbollin e Kosovës. Është një mundësi më shumë që t’i afrohemi tregut të Shqipërisë, Maqedonisë apo Turqisë. Nuk mund të flas për cilësinë por, gjithsesi se rritet konkurrenca. Sa i përket çështjes materiale është një pikëpyetje nëse ia vlen ky investim vetëm për konsum të brendshëm.

Gjithsesi, interesi mund të jetë i dyanshëm pasi këto ardhje mund të reflektojnë në një ndjekje frike për produktin vendor. Megjithatë, duhet të mësohemi edhe me konkurrencë”, ka deklaruar Agron Selmani.

Ndryshe, për temën në fjalë foli edhe ish-futbollisti kosovar, me karrierë ndërkombëtare, Arsim Plepolli. “Besoj se është reklamë e mirë që i bëhet futbollit të Kosovës. Nuk besoj se vjen kualiteti i lartë por mjafton që të jemi në fokus të mediave të huaja. Nuk humbin asgjë klubet tona me këto ardhje”, vlerësoi Plepolli.