A është gati Bashkimi për Ligën Ballkanike?

Klubi i basketbollit Bashkimi nga Prizreni për herë të parë do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike në sezonin që është në prag. Por në klubin prizrenas e dinë mirë se nuk do ta kenë aspak të lehtë pjesëmarrjen në këtë garë, të cilën së fundi e ka fituar Sigal Prishtina. “Është një sfidë për ne dhe për qytetin e Prizrenit. Nuk është aq lehtë. Kemi hyrë aty, por çka tash. Jetojmë në një vend ku planet dhe premtimet nuk përmbushen. Konkretisht nuk kemi asgjë por duhet brenda muajve të ardhshëm të ngremë nivelin e organizimit në mënyrë që të jemi gati dhe të bëhemi një klub serioz”, ka thënë menaxheri i këtij klubi, Arlind Kaçaniku, për ‘Kohën Ditore’.