I ftuari i radhës këtë javë në podcastin “Arena e Yjeve” në Telegrafi ka qenë presidenti i FFK-së, Agim Ademi, i cili ndër të tjerash u ndal për të folur edhe për Edon Zhegrovën.
Zhegrova po shkëlqen këtë sezon tek klubi i tij Lille si dhe me kombëtaren e Kosovës , ku këto paraqitje të tij të mira kanë bërë që ai të përfundojë në radarin e disa klubeve të mëdha evropiane.
Në pyetjen se a është Edon Zhegrova futbollisti më i mirë shqiptar, Ademi tha se është paksa problem që të vlerësohen, por tha se është më i miri i kohërave të sotme.
“Është goxha problem t’i vlerësojmë, por Edon Zhegrova është lojtar i kohës moderne siç janë mega yjet nëpër të gjitha vendet e mund ta fusësh në rangun e tyre”.
Ademi tutje tha se preferenca e tij është që Zhegrova ta bëjë kalimin në La Liga, më saktësisht tek Barcelona.
“Për ta treguar Edoni veten, kualitetin e tij, unë mendoj se është La Liga. Spanja i përshtatet Edon Zhegrovës sepse publiku spanjoll e do nëse mund ta quajë kështu atraksionin, apo lojtarët që bëjnë driblime të paparashikueshme”.
“Pra të gjithë ata që kanë qenë të kalibrit të tillë për publikun kanë qenë në Spanjë, Messi, Ronaldinho dhe gjithë të tjerët”.
“Kisha pas qejf që Edoni të luajë për Barcelonën, por tash ai ka hyrë në këtë pjesën e grupit të yjeve që janë nëpër Evropë dhe sigurisht që nëse i përshtatet vendi pse jo, pothuajse secili ekip Edonin do ta kishte dashur”, ka thënë mes tjerash Ademi.
Për të gjitha këto dhe shumë të pathëna të tjera, Ademi i ka shpalosur të gjithat në podcastin “Arena e Yjeve” në Telegrafi.
Këtë podcast mund ta ndiqni në TV Dukagjini çdo të shtunë nga ora 17:10, ndërsa nuk do të ishte i mundur pa përkrahjen e sponsorëve tanë Patos, Dent Fix , Lasko, Pro Transport dhe Muqa Solar.