A do t’i bashkohet Olayinka Trepçës ’89?

Sulmuesi i Skënderbeut të Korçës, Peter Olayinka po kërkohet nga skuadra mitrovicase Trepça ’89. Ky futbollist është i dënuar në Shqipëri për rreth katër muaj pasi që në të njëjtën kohë ka nënshkruar për dy klube.

Zëdhënësi i Federatës së Futbollit të Kosovës, Fazli Berisha, ka thënë për gazetën se ky lojtar nuk mund të luaj në Kosovë.

Trepça ’89 nuk e ka ndërmend që të dorëzohet. Zyrtari i lartë i këtij klubi, Ilir Bojku pret që Olaynka shumë shpejt do të zbarkojë në Mitrovicë. “Federata Shqiptare e Futbollit do të dorëzojë së shpejti në Federatën e Kosovës, letrën ku shkruan se ai është i dënuar vetëm për Shqipëri dhe besoj se javën e ardhshme do të na bashkohet”, ka thënë Ilir Bojku, skuadra e të cilët e nisi dobët kampionatin duke humbur nga Drita në udhëtim (3:2). “Na kanë zënë në ditë të keqe. Ne e kërkojmë titullin por jo me çdo kusht”, përfundoi një ndër investitorët më të mëdhenj në futbollin kosovar, Ilir Bojku.