A do t’i bashkohen Kosovës?

Federata e Basketbollit e ka përgatitur strategjinë për afrimin e yjeve të basketbollit, që i përfaqësojnë vendet tjera. Kryetari Erolld Belegu tregon se ka bërë kërkesë në FIBA që t’ia lejojë një gjë të tillë. Me këtë rast, Berisha, Spahi, Kastrati, Morina etj., mund të luajnë për Përfaqësuesen e Kosovës.

Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) e ka nisur një ofanzivë, në tentim që t’i afrojë yjet e basketbollit kosovar, të cilët për momentin i përfaqësojnë vendet tjera.

Dardan Berisha (Polonia), Kenan Spahi (Turqia), Erjon Kastrati (Sllovenia), Gëzim Morina etj, janë vetëm disa prej basketbollistëve që për momentin luajnë për përfaqësuese tjera.

Për këtë, drejtuesit e basketbollit kosovar, të vetëdijshëm se pranimi i tyre në Federatën Ndërkombëtare të Basketbollit mund të jetë vetëm çështje kohe, e kanë përgatitur këtë strategji.

Presidenti i FBK-së, Erolld Belegu, tregon se institucioni që ai e drejton, e ka bërë një kërkesë zyrtare në FIBA, nga e cila ka kërkuar t’i lejojë yjet e basketbollit të luajnë për Kosovën, në momentin që basketbolli ynë të pranohet ndërkombëtarisht.

“Kemi bërë kërkesë në FIBA që të na lejojë t’i marrim yjet e basketbollit tonë si Berisha, Spahi, Kastrati etj., që për momentin i përfaqësojnë vendet tjera. Nëse na lejohet një gjë e tillë, mund ta kemi një përfaqësuese të fortë”, deklaroi Belegu për ‘Zërin’.

Nixha: Zgjedhja u përket basketbollistëve

Trajneri Jeton Nixha mendon se zgjedhjen se cilin shtet do ta përfaqësojnë, në fund e bëjnë vetë basketbollistët. “Ne duhet të bëhemi realistë. Spahiu me siguri ka dëshirë të luajë për Kosovën, por e ka të vështirë ta lë perspektivën që e ka tek Turqia. Mund të llogarisim në Dardan Berishën, tek i cili për shembull më nuk llogarit Polonia. Por, në fund, zgjedhja ju takon vetë lojtarëve. Nuk është koha e patriotizmit, le të vendosin vetë lojtarët”, thotë Nixha.

“Ne jemi ende në hapat e parë, nuk mund të presim se do të kualifikohemi menjëherë në evenimente të rëndësishme. Fillimisht duhet punuar sa më shumë me fëmijët 7-8 vjeçarë, që pas 10 vjetësh të nxjerrim lojtarë kualitativë dhe më pas të kërkojmë rezultate. Fillimisht na nevojitet t’i përjetojmë ndeshjet ndërkombëtare dhe të marrim eksperiencë”, vazhdoi ish-trajneri i Bashkimit dhe Vëllaznimit.