A do të ndodh super-përballja e barazhit, Gjilani – Drita?

Me fundin e kampionatit, po afrohen edhe ethet e barazhit. Madje, një skuadër veq dihet gati sigurt se cila do të jetë në barazh.

Është kjo skuadra e Gjilanit e cila është dorëzuar sa i përket inkuadrimit direkt në Superligë, dhe qetësisht po e ruan pozitën e tretë që e dërgon në barazh.

Mirëpo, kush do të jetë kundërshtari i saj. Njëri nga më të mundshmit del të jetë edhe rivali i saj i përbetuar, Drita, që vjen nga i njëjti qytet.

Kjo skuadër po lufton me ‘mish e shpirt’ t’i ikë barazhit bashkë me skuadrat tjera si Vëllaznimi, Istogu e Drenica.

Mirëpo, për dallim nga të tjerat, Drita edhe pse ka orar të mirë, duhet të fitojë katër ndeshjet e mbetura për të siguruar mbijetesën. Në të kundërtën do të varet shumë nga përballjet e Istogut e Vëllaznimit.

Drita në fundjavë i shkon Ferizaj, sfidë të cilën flitet se do ta kalojë lehtësisht. Më pas pret Trepçën, kurse udhëtimin e vështirë do ta ketë në Vushtrri ku e pret Kosova. Në pret 89-shin, me të cilën prej vitesh ka marrëdhënie të mira, dhe kur janë në gjendje si tani, “miku i mirë gjithmonë i del në ndihmë”.

Nëse ndodh që Drita të mbetet në barazh dhe të përfundojë në pozitën 10, atëherë do ta ketë të sigurt përballjen me Gjilanin, që do të ishte njëra nga super-përballjet më interesante në vitet e fundit, bazuar në rivalitetin që kanë këto skuadra. (Gazeta Olle)