A do të luhet miqësorja, Liria – Beshiktashi?

Një takim i realizuar ditë më parë mes tifozëve të Beshiktashit që jetojnë në Prizren dhe drejtuesve të klubit të madh turk, bëri që Beshiktashi të shqyrtojë mundësinë e ardhjes në Kosovë për të luajtur ndeshje miqësore me Lirinë.

I kontaktuar nga Olle, zyrtari i Lirisë, Mirsad Qollaku, tregon për mundësinë e ardhjes së kampionit të shumëfishtë turk.

“Disa nga tifozët tanë dhe një anëtar i kryesisë së klubit tonë kanë qenë në Turqi dhe kanë biseduar me drejtuesit e Beshiktashit. Zyrtarisht neve si Liri nuk na ka konfirmuar askush ardhjen e tyre. Tifozët e Beshiktashit në Prizren kanë shprehur dëshirën, dhe për këtë ka mbetur edhe një takim të realizohet. Pra, ka lëvizje në këtë drejtim, por zyrtarisht ende asgjë”, tha Qollaku për GazetaOlle.com.

Liria garon në Ligën e Parë, por me gjasa të mëdha të rikthehet në Superligë.