A do të luajnë serbët e Frankfurtit kundër Kosovës? Përgjigjet Tomislav Karaxhiq

Përfaqësuesja e Kosovës do të luajë më 24 e 27 mars kundër skuadrave të Bundesligës gjermane, Eintracht Frankfurt dhe Werder Bremen.

Pjesë e Frankfurtit, janë edhe dy serbët, Alexander Ignjovski dhe Slobodan Medojeviq. Mediat serbe ‘kanë quar pluhur’ nëse këta lojtarë do të pranojnë të luajnë kundër Kosovës.

Madje, e përditshmja Kurir ka kontaktuar presidentin e Federatës së Futbollit të Serbisë, Tomislav Karaxhiq, për ta pyetur nëse do t’ua ndalojë këtyre lojtarëve paraqitjen më 24 mars.

“Kosova ka të drejtë të luajë ndeshje miqësore, në bazë të vendimit të FIFA-s, pa simbole shtetërore, flamur dhe himn. Fatkeqësisht ne këtu nuk mund të bëjmë asgjë. Vendimi i lojtarëve tanë për të luajtur apo jo iu takon vetëm atyre”, ka deklaruar Karaxhiq, transmeton gazetaolle.com.

“Ne nuk mund të ndikojmë në politikat e klubit të tyre. Askush nga Federata nuk mund të thirr Medojeviqin e Ignjovskin dhe t’iu thotë të mos luajnë këtë ndeshje. Unë nuk dua të dëmtojë lojtarët, sepse ata kanë kontrata me klubin, jetojnë nga ato dhe kanë obligime ndaj tyre”, shtoi Karaxhiq.

Kurir përmend edhe Dieter Burdenskin, ish portier i Gjermanisë, që ndërmjetësoi këto takime. (Gazeta Olle)