A do të luajë për Zvicrën apo Shqipërinë, Florent Hadërxhonaj?

Një ndër lojtarët që po shkëlqen në këtë edicion në Superligën e Zvicrës është edhe mbrojtësi nga Kosova, Florent Hadërxhonaj, i cili luan për Yong Boysin. 20-vjeçari zuri vend edhe në 11-shen më të mirë të stinorit vjeshtor në kampionatin zviceran.

Hadërxhonaj flet për paraqitjet e tij në një prononcim për sportal.al. “Normalisht se jam shumë i kënaqur me paraqitjet që kam bërë në këtë edicion. Për momentin është mirë, por kam besim se mund të luaj edhe më mirë”, deklaronte Florent Hadëxhonaj.

Në adresë tij nuk po mungojnë edhe ofertat. “Jam 20-vjeçar, po luaj si titullarë dhe ofertat nuk po më mungojnë. Deri më tash nuk ka diçka konkrete”, zbuloi Hadërxhonaj.

Talenti i tij ka rënë në sy të Federatës së Zvicrës (aktivizohet me shpresat), por jo edhe të asaj shqiptare.

Kështu të paktën ka deklaruar vet Florenti. “Për momentin luaj me Zvicrën U-21. Ende nuk kam marrë ftesë nga Shqipëria. Për cilën Kombëtare do të luaj, do të mësohet së shpejti. Aktualisht jam i koncentruar vetëm te Yong Boysi”, përfundoi Florent Hadërxhonaj.