A do të fitojë xhudoja medalje në Baku?

“Kemi punuar për rezultat të mirë. Medalja është sfidë e madhe për shumicën e sporteve në Baku”, tha para nisje për në Baku Driton Kuka, përzgjedhës i kombëtares së Kosovës.

 

Xhudistet Distria Krasniqi (52 kg), Nora Gjakova (57 kg) e xhudisti Akil Gjakova (73 kg) së bashku me trajnerin e tyre, Driton Kuka, sot do të udhëtojnë për në Baku për të marrë pjesë në Lojërat Evropiane. Njohësit e sportit tonë shpresojnë se xhudoja do t’i sjellë medalje historike Kosovës, ndërsa Kuka si gjithmonë është i matur dhe po pret t’i mësojë se cilët do të janë kundërshtarët e garuesve të tij. Driton, sa janë të përgatitur xhudistët për Lojërat Evropiane? “Përgatitjet janë kryer me sukses të plotë dhe sipas programit çdo gjë ka shkuar në mënyrën e duhur”, tha Kuka për gazetën kombëtare “Bota sot”.

A shpresoni se Distria do të jetë në formë sikurse në garat e deritashme? “Distria sivjet ka pasur formë solide në secilën garë dhe varet shumë nga shorti”, theksoi ai, duke folur edhe për Norën dhe Akilin. “Të them të drejtën Nora e Akili kanë nivel për rezultat, por situata më e qartë shihet pas shortit”, ka thënë Kuka. Përzgjedhësi mendon se kanë punuar me zell të shtuar dhe pret të vjelë edhe frytet në Baku.

A shpresoni në medalje? “Kemi punuar për rezultat të mirë. Medalja është sfidë e madhe për shumicën e sporteve në Baku. Disa sporte marrin pjesë më më të mirët në Evropë, ndër to edhe xhudoja, e te disa sporte konkurrenca është qesharake”, theksoi ai, i cili ka vlerësuar edhe rezultatet e sportistëve tanë që janë paraqitur deri më tash në Lojërat Evropiane. “Sportistët tanë kaq e kanë mundësinë. Janë paraqitur mirë sportet që i njoh, ndërsa disa sporte kanë folur pa e ditë se çfarë i pret”, thotë Kuka. Ai tha se edhe prania e kampiones së dyfishtë të botës, Majlinda Kelmendi, do të jetë një motivim për xhudistët. “Patjetër që Majlinda do të jetë me ne dhe prania e saj do të krijoj siguri te ekipi që do të garon. Prania e saj do të jetë përkrahje për ekipin, patjetër”, thotë Kuka, duke e pranuar se është në presion.

“Para garave të mëdha gjithmonë presion ka, por është i natyrshëm. Presioni nuk është aq i madh, por patjetër që gjithmonë ka presion”. Shorti tërhiqet me 24 qershor, cilët nga kundërshtarët nuk i doni në xhiron e parë për garuesit tuaj? “Nuk kisha dashur të flas me emra së paku deri në hedhje të shortit. Pas hedhjes do të kemi një pasqyrë më të qartë”, ka thënë Kuka. Opinioni në Kosovë ka të drejtuar sytë nga xhudoja me shpresë se do të sjellë medaljen e parë historike nga Lojërat Evropiane. Ndërkaq, deri më tash shumë afër qëllimit ka qenë karateisti Alvin Karaqi (-84 kg), i cili zuri vendin e katërt, ndërsa boksieri Armend Xhoxhaj (81 kg) është eliminuar në çerekfinale dhe në mënyrë të padrejtë, pasi nga gjyqtarët iu mohua fitorja.