A do ta shtyjë protesta derbin? Përgjigjet Tirana

Rrezikohet të shtyhet për të tretën herë derbi i kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit. Sfida mes bardhëbluve dhe klubit të kuq, ishte vendosur të luhej me 27 shkurt, e cila u shty për tu luajtur me 12 mars.

Mirëpo, dhe kjo datë rrezikon të bjerë poshtë për shkak të protestës së opozitës në të njëjtën ditë. Burime pranë Drejtorisë së Policisë së Tiranës, bënë me dije rreth orës 17:30 se policia nuk mund të marrë përsipër një sfidë të tillë, për shkak se do të zhvillohet dhe protesta e opozitës në të njëjtën ditë. Protesta është programuar të zhvillohet në orën 11:00, ndërsa ndeshja do të luhet më 19:00. Megjithëse ka shumë pak gjasa që të ketë trazira, policia kërkon të marrë masa të rrepta për t’i paraprirë çdo problemi të mundshëm. Negociatat mes klubit dhe policisë vazhdojnë, ndërkohë që nesër paradite pritet një komunikatë zyrtare nga policia.

Reagimi i Tiranës: Luhet të enjten sipas programit

“Lajmet për anulimin e ndeshjes Tirana-Partizani nga Policia nuk kanë përmbajtje zyrtare. KF Tirana si organizatore e ndeshjes se 12 marsit po merr të gjitha masat qe ky takim te zhvillohet normalisht. Konform te gjitha rregullave, duke bashkëpunuar me te gjithe palet, klubi po përgatit këtë takim që është përcaktuar të luhet të enjten, në orën 19:00, në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”. KF Tirana po printon për herë të dytë biletat për derbin, përgatit të gjitha detajet e nevojshme për mbarëvajtjen e një evenimenti futbollistik, pasi kjo përballje nuk është vetëm një ndeshje që zgjat 90-minuta. Tirana – Partizani është një vlerë thelbësore për futbollin shqiptar. Tifozeria e kryeqytetit e meriton këtë ndeshje në kryeqytet dhe ka treguar se atmosfera e krijuar është gjithmonë fantastike.