Pas dështimit të Bledi Shkëmbit edicionin e kaluar, Ballkani vendosi ta sjell një tjetër trajner shqiptar në krye të stolit me qëllim ta drejtojë skuadrën drejt synimeve madhore në Superligën e Kosovës në futboll.
Ilir Daja, trajneri i njohur shqiptar është prezantuar si trajner i ri te suharekasit të mërkurën nga presidenti i klubit, Arsim Kabashi, duke e zëvendësuar Bekim Isufin e shkarkuar pak kohë më parë.
Karriera e Dajës në Superioren shqiptare si trajner është e pasuruar me shumë trofe me skuadrat që ai drejtoi.
Se a do ta ketë të njëjtin fat edhe te Ballkani këtë do ta dëshmojë koha.
Shotani: Ballkani ka bërë zgjedhjen e duhur me Dajën, dalja në Evropë e sigurtë 100 për qind
Ish-trajneri i Ballkanit dhe skuadrave të tjera kosovare, Bekim Shotani e ka vlerësuar të duhur vendimin e Ballkanit për t’ia besuar stolin Ilir Dajës.
Sipas Shotanit, Daja ka përvojën e duhur profesionale, ndërsa ka treguar përparësitë dhe vështirësitë që mund ta përcjellin atë. Shotani shtoi se dalja në garat evropiane për Ballkanin është e sigurt 100 për qind.
“Trajneri Daja ka përvojë profesionale dhe është shumë më rëndësi. Mendoj që Ballkani ka bërë shumë zgjedhje të mirë, pasi kemi të bëjmë me një trajner që ka udhëhequr më parë me ekipet Superiore në Shqipëri. Një ashtu mendojë që ka sjellë edhe shtabin e vetë teknik që ka shumë rëndësi në futboll. Përparësitë që ta bëj ekipin e Ballkanit kampion është se ka bordin e klubit shumë profesional me shumë përkrahje. Edhe lojtaret i ka në të gjitha repartet të nivelit më të lartë dhe në çdo pozitë ka konkurencë te mjaftueshme. Dalja në Evropë do të jetë e sigurt 100 për qind vetëm do të jetë në pyetje vendi i parë, i dytë apo Kupa. Vështirësitë për Dajën mund të jenë pasi është hera e parë që punon në Superligën e Kosovës dhe sa është e mjaftueshme ta njoh filozofinë e lojës te ekipet që pretendojnë të jenë kampion”, u shpreh Bekim Shotani të enjten për Demokracia.com.
Hashani: Daja ndër trajnerët më të mirë, qasja e Ballkanit me trajnerë është e gabuar
Erdin Hashani, ish-futbollisti dhe tashmë trajner i futbollit ka komentuar emërimin e Dajës në postin e trajnerit të Ballkanit duke e vlerësuar lartë figurën e tij.
Hashani ka kritikuar qasjën e klubit suharekas që ka në lidhje me trajnerët paraprakë të shkarkuar, ndonëse po drejtonin skuadrën në rrugë të mirë.
“Ballkani ishte në garë për titull edhe me Bekim Isufin, por çfarë nëse trajneri Daja nuk e fiton titullin? Politika që është duke e bërë Ballkani mendoj që është e gabushme. Që sa vite është në Superligë edhe të mendosh që i ka ndërruar gjithë ata trajnerë, atëherë nuk është faji tek trajnerët, por të udhëheqja e klubit. Normal që Daja është një trajner shumë i respektuar, po shpresoj eksperienca e tij do t’i ndihmojë Ballkanit në objektivat e tyre. Përparësi normal qe ka shumë sepse ka eksperiencë. Plus aty gjenë lojtarë kampion. Gjenë lojtarë me shumë eksperiencë, po ashtu edhe lojtarë që ka punuar në klubet shqiptare. Kisha me thanë vështirësi ndoshta vetëm se vjen në kampionat tjeter, por besoj qe ka shumë njohuri sot për kampionatin e Kosovës, sepse më herët trajnerët që vinin nga jashtë Kosovës nuk ështe që kishin shumë njohuri, ndërsa sot këtë gjë më nuk e kanë. Normal që është një vlerë e shtuar për Superligën e Kosovës ardhja e tij dhe besojë që Superliga do perfitojë shumë nga ai. Mendojë se në Superligë ka ardhur njëri nga trajnerët më të mirë dhe kjo normal që është e mirëseradhur”, deklaroi ish-futbollisti dhe trajneri, Erdin Hashani të enjten për Demokracia.com.
Ballkani viziton Klinën për t’u ndeshur me Dukagjinin në ndeshjen e parë të stinorit pranveror nën udhëheqjen e Ilir Dajës.
Krahas Superligës, Ballkani është në garë për Kupën e Kosovës në futboll.