89-shi me nigerianë

Trepça ’89 po mendon të përforcohet me lojtarë nga jashtë. Pas 7-8 ditësh, në Mitrovicë pritet të zbarkojnë tre nigerianë. Krerët e klubit mitrovicas besojnë se futbollistët afrikanë do t’i ndihmojnë shumë në pjesën e dytë të Kampionatit.

Trepça ’89 ka nisur të mendojë qysh tash për pjesën e dytë të sezonit. Klubi mitrovicas, krahas lojtarëve vendorë, po mendon të përforcohet edhe me lojtarë të huaj. Këtë e ka bërë të ditur për “Zërin” kryetari i klubit “Xehetar”, Abedin Zeka.

Ai njoftoi se mitrovicasit janë të interesuar për tre futbollistë afrikanë, të cilët do të zbarkojnë në Kosovë brenda më pak se 10 ditësh. Sipas kreut të klubit, bëhet fjalë për lojtarë cilësorë, të cilët ia kanë propozuar menaxherët me të cilët ka bashkëpunim qe një kohë 89-shi.

“Ne jemi në kontakte të vazhdueshme me menaxherët tanë, të cilët kanë shkuar në Nigeri dhe i kanë veçuar tre futbollistë cilësorë nigerianë, të cilët do të na bashkohen neve, pas 7-10 ditësh. Menaxherët na kanë premtuar se bëhet fjalë për lojtarë që për nivelin e Kosovës janë superiorë”, shprehet Zeka duke shpjeguar se ata do ta kenë një periudhë të shkurtër provash në Mitrovicë, por beson se s’ka nevojë shumë për prova, për shkak se lojtarët në fjalë posedojnë cilësi të bollshme për të luajtur në futbollin kosovar.

Zeka gjithashtu njoftoi se dy prej tre futbollistëve janë mesfushorë dhe një tjetër është sulmues, pozita këto në të cilat mitrovicasit kanë më së shumti nevojë.