Klubet e papërgjegjshme

Futbollistët në Kosovë janë totalisht të pambrojtur. Një lëndim i rëndë mund t’iu kushtojë me përfundim të karrierës, pasi luajnë pa sigurime shëndetësore. 

Ndërsa klubet nuk mërziten fortë, përpos Hajvalisë, e cila pak më moti ka nis t’ua bëjë sigurimet shëndetësore futbollistëve, ndërsa një gjë të tillë tani po e bënë edhe FC Prishtina

Klubet kosovare kanë mangësi të mëdha në organizim dhe janë shumë larg përmbushjes së standardeve që kërkojnë UEFA e FIFA. Njëri prej tyre, prej më të rëndësishmëve, është sigurimi shëndetësor. Thuajse asnjë klub i futbollit në Kosovë, përpos Hajvalisë, nuk e mbron shëndetin e futbollistëve. Në rast se e pësojnë ndonjë lëndim të rëndë, lojtarët mund të detyrohen ta mbyllin para kohe karrierën, pasi nuk kanë mundësi ta paguajnë vetë shërimin që mund t’ju kushtojë me mijëra euro.

Por, futbolli kosovar duket se po sheh dritë në fund të një tuneli. FC Prishtina po planifikon t’ua bëjë sigurimet shëndetësore lojtarëve, duke filluar nga sezoni i ardhshëm. Presidenti i klubit, Remzi Ejupi, tregon se bardhekaltrit janë në bisedime me kompani të sigurimeve dhe do ta zgjedhin njërën prej tyre, për ta nënshkruar marrëveshjen e bashkëpunimit.

“Ne jemi duke negociuar me disa kompani të sigurimeve, por ato po hezitojnë. Nuk janë fort të interesuara për një marrëveshje me klubet, për arsye se dihet se lojtarët kanë lëndime më të shpeshta. Mirëpo, kompanitë duhet të kenë konsideratë, të mos e shohin vetëm interesin financiar, por të jenë të gatshme të kontribuojnë për sportin”, siguron kreu i klubit kryeqytetas.

“Do të mundohemi ta gjejmë një marrëveshje mes nesh dhe atyre dhe besoj se sezonin e ardhshëm, lojtarët e Prishtinës nuk do t’i gjejë pa sigurime shëndetësore. Një pjesë të sigurimit do ta bartin vetë lojtarët, një pjesë klubi, që lojtarët ta kenë një sigurim shëndetësor”, vazhdoi ai.
Ejupi: Edhe klubet tjera, t’i sigurojnë lojtarët

Ejupi i ka ftuar edhe klubet tjera ta ndjekin rrugën e klubeve prishtinase, që t’i mbrojnë lojtarët e tyre, duke i bërë sigurimet shëndetësore. “Është në interes të klubeve, por mbi të gjitha të lojtarëve. E dimë se si janë kushtet financiare, por besoj se edhe klubet tjera do ta bëjnë të njëjtën gjë. Sigurimi shëndetësor është prioritet. Këtë nuk duhet ta bëjnë vetëm klubet e Superligës, por edhe të ligave tjera. Është mirë për çdo të ri”, vijoi ai.

Ndër të tjera, Ejupi do të donte që lojtarët të kenë standarde të paktën minimale, siç janë në vendet tjera. Sipas tij, tash e tutje, gjërat duhet të lëvizin. “Kuptohet se deri tash ka shkuar si ka shkuar, në shumë klube është punuar në përgjithësi pa një program, pa një strategji, pa një vizion për të ardhmen. Neve na nevojitet që, përpos infrastrukturës, të punojmë edhe në infrastrukturën ligjore, e cila për momentin është thuajse e hendikepuar. Në Kosovë kanë shumë pak, ose s’kanë hiç fare mbrojtje klubet e as lojtarët, në çdo aspekt”, u shpreh Ejupi për “Zërin”.

Ai kërkon mbështetje për sportin nga shoqëria kosovare dhe shteti. Sipas tij, Kosovës i mungon një kamp stërvitor, përgatitor, që është baza për prodhimin, për nxjerrjen e talenteve për të ardhmen. Ejupi e sheh si momentin e fundit dhe kohën e fundit që të intervenojnë të gjithë ata që merren me sport. E klubeve thotë se u mbetet që t’u krijojnë kushte sa më të mira lojtarëve, sipas standardeve që kërkohen, në mënyrë që lojtarët t’i përfaqësojnë denjësisht klubet e tyre, vendin e tyre, natyrisht edhe vetveten sportistë.