8 ndeshje, 1 gol i pranuar

Portieri i Hajvalisë, Petrit Tahiri, që po kalon nëpër një formë të shkëlqyeshme, ku në 8 ndeshje ka pranuar vetëm 1 gol, ka deklaruar për Gazetën Tribuna se Hajvalia mund të shpallet kampion i Kosovës, pasi në radhët e veta ka lojtarë shumë cilësorë dhe një trajner kampion siç është Ismet Munishi.

Ai ka folur edhe për formën e shkëlqyeshme nëpër të cilën po kalon te Hajvalia.

“Me mbrojtjen e fort dhe përvojën që kanë lojtarët si Dragusha, Prekazi, Leci , Gashi e Shabani arrita të konsolidohem me ta dhe lojë pas loje patëm vazhdimësi të mirë ku në 8 ndeshje  u mposhtëm vetëm 1 herë edhe pse në disa raste fati na shpëtoi,  por trajneri Ismet Munishi gjithmonë thotë se fati i përcjellë trimat. Kjo formë e mirë e imja është fal lojës kolektive të ekipit dhe  ngritjes në formë jo vetëm timen por të gjithë ekipit fal atmosferës së mirë që krijon trajneri Ismet Munishi në ekip”, u shpreh ish – portieri i Vushtrrisë, i cili shtoi se me largimin e Ilir Avdylit ka humbur shumë Hajvalia.

I pyetur se kush do të shpallet portieri më i mirë për vitin 2015, ai është shprehur se nuk e di një gjë të tillë.

“Gjatë gjithë vitit ka pasur paraqitje të mira të portierëve në Superligë, por edhe unë gjatë vitit kisha paraqitje të mira me Vushtrrinë në pranverë dhe tani me Hajvalinë. Mendoj që janë njërëzit kompetent që e shpallin më të mirin”, deklaroi Tahiri.

Tahiri ka folur edhe për krizën nëpër të cilën ka kaluar, ku ishte lënduar në fillim të kampionatit.

“Erdha në Hajvali por në fillim nuk me eci mirë, jo pse nuk isha në formacionin e par por një lëndim me mbajti  për 1 muaj jashtë stërvitjeve.  Pastaj  u riktheva, por Ilir Avdyli po mbronte me shumë sukses portën e Hajvalisë, por edhe ai në kulmin  e formës se tij ishte i pafat dhe  u lëndua. Pastaj  trajneri Ismet më dha rastin edhe pse nuk kisha as 1 javë stërvitje pas lëndimit por unë u dashtë patjetër me zëvendsu Ilirin në superformë. Një falënderim shkon për trajnerin e portierëve Labinot Qosa që fal përvojës së tij si ish portieri  më i mië që kishte Kosova që me këshilla dhe punë të  palodhshme arriti të më motivoi dhe të me kthej besim brenda 1 jave me plotë sukses”, tha Tahiri.

Tahiri i ka falënderuar të gjithë te Hajvalia, që nga ekonomi i klubit, kryesia, tifozët, trajnerin e portierëve, bashkëlojtarët dhe trajnerin Munishi, për pritjen e mirë që ia kanë bërë.

Petrit Tahiri në vitin 2014, ishte shpallur portieri më i mirë në Kosovë, dhe në të njëjtin vit, ishte shpallur kampion me Vushtrrinë (ish-Llamkos Kosova).