FFK vazhdon t’i dënojë të përfshirët në incidentin e ndeshjes Ballkani – Drita

Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i Federatës së Futbollit të Kosovës ka dënuar me gjoba të përfshirët në incidentin që ndodhi pas ndeshjes Ballkani – Drita më 20 prill.

Ballkani dhe Drita barazuan 2:2 në ndeshjen e xhiros së 30-të në fundjavë.

Pati incident në tunelin e stadiumin e qytetit në Suharekë pas ndeshjes.

Te Drita pati akuza për tentim të sulmit ndaj zyrtarëve të saj, kurse Ballkani e mohoi një gjë të tillë.

Të premten, Komisioni Disiplinor dhe i Etikës i FFK-së e dënoi Ballkanin me 1200 euro për lëshim në organizim të ndeshjes, pasi në minutat 80, 89 dhe 92, tifozët vendës hodhën mjete piroteknike tymuese në fushën e lojës.

Videoanalisti i Ballkanit, Ardi Kabashi, është dënuar me 500 euro për shkak të fyerjeve në drejtim të trajnerit të Dritës, Zekirija Ramadani.

Zyrtari tjetër i Ballkanit, Idriz Hajrizi, është dënuar me gjobë prej 300 eurosh, për arsye të njëjta, si dhe është dënuar me dy ndeshje “mosushtrim të detyrës”.

Trajneri i Dritës, Zekirija Ramadani, është dënuar me 500 euro, për fyerje ndaj videoanalistit të Ballkanit.

Me dy ndeshje “mosushtrim të detyrës” është dënuar edhe zyrtari i Gjilanit, Sallah Sherifi, pasi pas përfundimit të ndeshjes Gjilani – Feronikeli 74, pati sjellje josportive dhe e ka cenuar integritetin e gjyqtarëve të ndeshjes.

Për shkak të kartonit të kuq për ndërhyrje të rrezikshme, Rilind Haziraj i Malishevës është dënuar me tri ndeshje moslojë, ka shkruar FFK-ja të premten.

Drita është në procedurë disiplinore për lëshim në organizmin e ndeshjes Drita – Prishtina, që i takoi gjysmëfinales kthyese të Kupës së Kosovës.

“Pas përfundimit të takimit, tifozët e Dritës hedhin në drejtim të lojtarëve të Prishtinës rreth 25 shishe PVC si dhe tifozët e frustruar të Dritës, disa prej tyre, kalojnë rrethojat dhe hyjnë në fushë dhe konfrontohen fizikisht me zyrtarët e Dritës dhe falë intervenimit të Policisë së Kosovës, evitohet incidenti edhe më i madh”, ka shtuar tutje FFK-ja.

Askush sikur ai në Serie A, Ylber Ramadani me më së shumti kilometra brenda një ndeshje

Lëshim në organizim dhe futja e tifozëve në fushë: Drita përfundon në procedurë disiplinore