Ylli i SHBA-së stërvitë në Prishtinë

Pasi përfundoi stërvitjet me klubin, qendra e Sigal Prishtinës, Julian Mavunga, kishte edhe një seancë tjetër stërvitore. Kësaj here shumë më të lehtë dhe tepër të veçantë.

Për pak minuta në palestrën e vogël të Pallatit të Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ai mbeti vetëm me amerikanen Jeanette Pohlen.

Ajo është e dashura e tij, por në SHBA pak e hiç njihet si e tillë.

Njihet gjerë e gjatë si yll i ekipit Indiana Fever, me të cilën skuadër më 2012 u shpall kampione e ligës më të fortë në botë WNBA.

Pohlen, 25-vjeçare, tashmë disa ditë ka ardhur për vizitë tek i dashuri i saj, i cili në fillim të këtij viti iu bashkua Sigal Prishtinës, transmeton Koha.net.

Për Pohlenin kjo është vizita e parë në Prishtinë, të cilën njëkohësisht po e shfrytëzon edhe për përgatitje para fillimit të edicionit 2015 në WNBA, që nis më 5 qershor dhe përfundon më 13 shtator të këtij viti.

 

Pas disa gjuajtjeve ku ishte tepër e saktë, Pohlen filloi të bënte pasime me Mavungan, i cili mbante dy topa në duar dhe njëkohësisht e këshillonte.

“Është hera ime e parë që jam në Prishtinë dhe po ndihem shumë mirë. Po ashtu kohën po e shfrytëzoj edhe për stërvitje individuale në të cilat po më ndihmon Juliani”, thotë Pohlen për “Koha Ditore”, duke bërë të ditur se ka një vit që është në lidhje me Mavugan.