Ismet Begolli u jep zemër lojtarëve: “Do ta kalojmë Norrkopingun”

Kundërshtari i Prishtinës llogaritet i fortë, por ka të atillë që u japin zemër lojtarëve, duke u shprehur optimist në kalimin e rrethit të parë.

Është nënkryetari i FC Prishtina, Ismet Begolli, i cili beson fuqishëm se Prishtina ka kapacitet për ta eliminuar 13 herë kampionin e Suedisë, IFK Norrkoping.

“Kundërshtari është i fortë, por jo i pakalueshëm. Unë besoj që do ta kalojmë rrethin e parë. E di çfarë futbolli luhet në Skandinavi, nuk është njësoj si skuadrat e fuqishme të Ballkanit”, thotë numri 2 i FC Prishtina për Gazetën Olle.

Deklaratën e tij, Begolli e bazon edhe në lojtarët me përvojë që ka Prishtina.

ismetbegolli

“Edhe ne kemi lojtarë me përvojë që kanë luajtur në arenën ndërkombëtare, si Dallku e Leci. Prandaj, nëse humbim 2:1, ose marrim rezultat 0:0, në ndeshjen e kthimit ne do ta kemi më të lehtë kualifikimin”, shtoi ai.

Prishtina debuton në arenën ndërkombëtare, pas 27 vitesh izolim.

Ndeshja e parë luhet në Suedi më 29 qershor, kurse e kthimit një javë më vonë në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë.