Gjashtë ndeshje në pranverë, tre fitore, dy barazime dhe një humbj që sigurisht se ka mundur të shmanget.
Ferizaji është hirushja e edicionit pranveror në Superligën e Kosovës në futboll.
Në fakt me të përfunduar stinori vjeshtor të gjithë e panë Ferizajn të rënë, pasi skuadra e Andrej Panadic kishte krizë të rezultateve dhe pak kush mendonte këtë start të tillë të tyre.
Në fakt Ferizaj nga 18 ndeshje në vjeshtë kishte vetëm dy fitore dhe shtatë barazime, derisa në edicionin pranveror për gjashtë ndeshje bëri më mirë se edicionin vjeshtor për 18 sosh.
Besimi në trajnerin nga kryesia dhe shtabin teknik
Ferizaj e nisi këtë edicion në Albi Mall Superligë duke grumbulluar lojtarët ferizajas me rrethinë, por duket se ky vendim sa i mirë nga klubi ishte edhe i gabueshëm.
Presidenti i klubit, Lulzim Abazi dëshironte që t’i jepte rastin futbollistëve vendor për të dhënë kontribut me fanellën e qytetit, por fatkeqësisht disa prej tyre i ka ikur koha dhe nuk janë të denjë për të luajtur në elitën e futbollit kosovar.
Pas 10 javëve u bë ndryshimi në shtabin teknik, ku trajneri i mirënjohur Arbnor Morina u largua dhe pozitën e tij e mori kroati Andrej Panadic.
Ashtu si për Morinën, edhe për pasardhësin e tij Panadic ishte fillimi shumë i vështirë pasi ai në tetë ndeshje mori vetëm një fitore, dy barazime dhe pesë humbje.
Nuk munguan analizat nëpër studio televizive duke deklaruar se Ferizaj duhet ta shkarkojë trajnerin kroat pasi ai nuk e njeh mirë kampionat dhe të vazhdohej me të është humbje kohe.
Por ajo që bëri klubi është e mrekullueshme, pasi presidenti Abazi vendosi t’i besoj trajnerit Panadic dhe stafit të tij përkundër rezultateve të dobëta.
Puna e trajnerit ishte vlerësuar nga Abazi që i dha rastin dhe duket se ai ka marrë vendimin më të mirë, pasi një tjetër ndryshim do të ishte ndoshta fatal për ta larguar ekipin nga liga.
Transferimet cilësore në afatin kalimtar të janarit
Duke i dhënë besim të plotë trajnerit Panadic, te Ferizaj përvjelën mëngët të gjithë nga presidenti Abazi deri te të gjithë anëtarët e kryesisë për të punuar fuqishëm.
Kryesia e klubit në bashkëpunim me trajnerin bën transferime të shkëlqyera, duke marrë në radhët e veta futbollistë me përvojë dhe disa talente të reja.
Së pari bardhekaltërtit blinduan portën me Marko Jovanovskin, derisa në mbrojtje u përforcuan me Filip Gligorov nga skuadra kazake Shakhtar Karagandy, Qlirim Avdullin nga Malisheva dhe Jasmin Mecinovic nga FK Skopje.
Dy transferimet më të mira padyshim që ishin të ardhurit nga Drita, Albin Krasniqi dhe Drilon Islami.
Dyshja e talentuar i kanë dhënë stabilitet në mesfushë ferizajasve dhe janë ndër më meritorët për rezultatet e arritura deri më tani.
Një tjetër transferim i madh ishte ai i mesfushorit shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Besar Iseni i cili ka një teknikë të hatashme.
Iseni ende nuk ka arritur të marrë vetën, por bëhet fjalë për një futbollist të shkëlqyer që pritet t’i japë ndihmë të madhe skuadrës në fazën finale të kampionatit.
Garda e vjetër duke ndihmuar transferimet e reja
Shumë lojtarë të panevojshëm u larguan në janar nga Ferizaj, por trajneri Panadic dhe kryesia e klubit ndalën disa futbollistë nga garda e vjetër.
Betim Haxhimusa, Ergon Hyseni, Astrit Fazliu, Behar Bardhi, Bujar Shabani e Dardan Qerkini kanë dhënë kontribut jashtëzakonisht të madh në pranverë.
Sulmuesi ferizajas Betim Haxhimusa ka realizuar gol ndaj Dritës, derisa asistoi në fitoren ndaj FErizaj, derisa gol ka shënuar edhe Ergon Hyseni.
Sigurisht përvoja e tyre dhe dhënia e maksimumit për fanellën e qytetit po e bëjnë të vetën dhe ndalja e tyre në skuadër ka qenë vendim i duhur nga klubi.
Fitoret ndaj skuadrave ‘Big’ në Superligë
Duke marrë parasysh kalendarin e vështirë, pak kush ka menduar se Ferizaj do të ketë pikët që ka sot.
Fillimisht ferizajasit ndalën Gjilanin në udhëtim 0-0, derisa bën tre fitore ndaj skuadrave ‘Big’ si Prishtina, Drita e Llapi.
‘Ujqit’ e mposhtën Prishtinën me rezultat minimal 1-0 falë golit nga Mateo Panadic, derisa Dritën e Llapin i mposhtën me rikthim 2-1.
Për fitoren ndaj gjilanasve shënuan Ergon Hyseni dhe Betim Haxhimusa, ndërsa për tre pikët ndaj Llapit u përkujdes Edon Sadriu me dy gola.
Ferizaj ka marrë një pikë edhe në udhëtim te Malisheva, derisa humbjen e vetme në pranverë e kanë nga Drenica, në një ndeshje ku bën paraqitje shumë të mirë.
Korrektësia me pagesa për futbollistët dhe stafin teknik si dhe premiot e rregullta
Sigurisht që falë sukseseve të arritura në fushë qëndron edhe një kryesi e fortë e cila iu qëndron pranë futbollistëve dhe stafit teknik.
Në klubin e Ferizajt paga marrin 55 persona, duke përfshirë futbollistët, stafin teknik dhe punëtorët e tjerë.
Gazeta Olle mëson se që nga fillimi i edicionit nuk ka pasur asnjëherë vonesa në pagesa dhe Ferizaj është ndër skuadrat më të rregullta sa i përket pagave.
Gjithashtu bardhekaltërtit kanë pasur edhe premio në disa ndeshje, ku lojtarët i kanë arritur ato dhe brenda dy ditëve i kanë marrë.
Vetëm Gjilani dhe Ballkani kanë pikë sa Ferizaj në pranverë (11) dhe kjo është një gjë e mirë dhe meriton duartrokitje për klubin ferizajas.
Sigurisht se për të mbetur në elitën e futbollit kosovar ferizajasit duhet të marrin rezultate pozitive edhe në 12 finale të fundit, por duket se ata janë në rrugën e duhur.
Vlen të përmendet se në secilin takim të zhvilluar në Ferizaj, klubi është mbështetur nga mijëra tifozë gjë që është shumë e rëndësishme dhe një përkrahje e tillë ka bërë që edhe rezultatet mos të mungojnë. /Gazeta Olle/