2100 forca sigurie, zbardhet axhenda për finalen e Conference League në “Air Albania”

Shqipëria do të presë për 13 ditë finalen e kompeticionit debutues të UEFA-s, atë të Ligës së Konferencës. Një vëmendje europiane është kthyer nga Tirana.

Për herë të parë një event i tillë që do të mobilizojë gjithë qytetin. Organizimi i një finaleje të tillë kërkon shumë organizim dhe shumë njerëz, të cilët do të vihen në dispozicion të UEFA-s. Për më shumë detaje rreth organizimit ka folur edhe drejtori i marketingut në FSHF, Gazmend Malo:

“Ka qenë një lobim i gjatë ndër vite. Ka filluar me idenë e të mësuarit të praktikave për të aplikuar teknikisht për këtë gjë. Për një event të tillë duhen garantuar shumë gjëra të cilat në radhë të parë nuk varen vetëm nga ti. Është një sistem shumë i gjerë, që do të thotë se stadiumi është vetëm maja e ajsbergut që ne lexojmë për një aktivitet sportiv, por duhet shqyrtuar edhe pjesa tjetër, si: aeroporti, transporti, hoteleritë etj. Në Tiranë do të vijnë dy ekipe të mëdha europiane, ka rreth 3 muaj që flitet në mënyrë intensive dhe logoja ‘Tirana 2022’ është në mbarë botën, duke iu bërë një PR unik kryeqytetit, me kosto zero”.

NDRYSHIMET NË STADIUM – “Vetë stadiumi, që është pika kryesore, po bën 4-5 ndryshime të mëdha vetëm për ta mundësuar këtë aktivitet. Së pari, është zgjeruar tribuna e medias, pasi vetë eventi kërkon një numër të madh mediash. Në tribunat e miqve do të reduktohet numri i tifozëve për shkak të studiove televizive për këtë event. Do të shtohen dy ekrane gjigante në stadium si dhe do të krijohen dy shkallë në tribunën kryesore për të zbritur në fushë. Sa i përket aeroportit, është dhënë një garanci e pakushtëzuar për të përballuar fluksin e asaj dite, pasi do të ketë një numër të madh fluturimesh”, vijon ai për emisionin “Sot”.

ZBUKURIMI I QYTETIT – Ndërkohë, ky event i përmasave të tilla duhet përgatitur në detaje dhe Gazmend Malo zbulon të gjitha aktivitetet që do të organizohen në kryeqytet, që nga “brandimi” i qytetit, tek ardhja e trofeut dhe mbrëmja gala që do të zhvillohet te Teatri i Operës dhe Baletit si dhe pikat e takimit të tifozëve: “Organizimi i eventit është i detajuar, që nga ‘brandimi’ dhe zbukurimi i qytetit duke nisur nga aeroporti. Pra, në ato data, çdokush që do të vijë në Shqipëri do ta kuptojë që këtu jemi në vendin e kësaj finaleje të madhe, me ‘brandimin’ dhe logon e këtij kompeticioni, me sponsorët e UEFA-s etj.

Rruga kryesore e hyrjes në Tiranë që është Rruga e Durrësit do të ketë sinjalistika për ekipet ku do të shkojnë dhe orientimet e rastit. Sheshi ‘Skënderbej’ do të ketë një organizim të veçantë, i quajtur ‘Fan Fest’, dhe ku të gjithë njerëzit mund të hyjnë dhe ku do të ketë lojëra futbolli për të gjithë. Futbolli do të jetë ‘tema e ditës’ për të gjithë. Do të vijë trofeu i vërtetë, i ruajtur me ‘security’ maksimal dhe të gjithë njerëzit mund të vijnë të bëjnë foto, por nuk mund ta prekin. Bulevardi do të bëhet jeshil dhe nga ana vizive do të perceptohet që ky është kryeqyteti ku ky event i madh do të mbahet”.

ZONAT E FANSAVE – “Përveç sheshit ‘Skënderbej’ ka edhe dy pika ku do të organizohen dy tifozëritë e klubeve që do të vijnë në Tiranë, të quajtura ‘Fan Meeting Point’. Secila tifozëri ka grupimet e veta dhe është menduar edhe se si do të drejtohen për të shkuar në pikat e tyre të takimit, përmes ekraneve, tabelave drejtuese.

Një pikë do të jetë te Pedonalja në Tiranë, ndërsa pika tjetër e takimit do të jetë te diga e Liqenit. Janë dy pika të afërta me stadiumin. Do të ketë darkë gala sa i përket protokollit zyrtar të ndeshjes. Kjo darkë do të zhvillohet në Teatrin e Operës dhe Baletit, në një lloj skenografie të rrallë që nuk është bërë kurrë në Shqipëri.

Darka do të zhvillohet në skenë, ku do të jenë drejtuesit më të lartë të UEFA-s dhe federatës, kryeministri, kryetari i bashkisë etj. Përveç protokollit që përfshin shkëmbimin e dhuratave, do të ketë edhe një shfaqje të përgatitur për miqtë”, shprehet Malo.

SIGURIA – Mbi 2100 forca sigurie dhe 400 vullnetarë që do të kenë funksione të ndryshme në këtë event do të angazhohen në finalen e 25 majit. “Ka pasur disa trajnime të forcave të sigurisë që do të jenë brenda perimetrit të stadiumit dhe do të ketë 650 “steward”-ë minimumi që do të jenë në stadium.

Ndërsa jashtë stadiumit do të ketë të paktën 1500 forca policore që do të garantojnë rendin në çdo gjë që mund të ndodhë jashtë. Pra, mbi 2100 forca që do të garantojnë sigurinë e kësaj finaleje. Gjithashtu, do të ketë të paktën 400 vullnetarë që do të jenë forca ndihmuese në nivel orientimi, suporti të njerëzve që do të jenë për këtë aktivitet”, thotë drejtori i marketingut në FSHF./PS/

Donjeta Sadiku e nis me fitore Kampionatin Botëror

Prishtina mbledh forcat para ndeshjes me Dritën, Mici thotë se skuadra është e “dënuar” për të fituar