2 Korriku prezanton dy afrime të mëdha

2 Korriku ka vazhduar me përforcime në afatin kalimtar të janarit.

Skuadra kryeqytetase është zhvendosur në qytetin bregdetar Durrës për të kryer fazën përgatitore për edicionin pranveror.

Ashtu siç ka paralajmëruar Olle orë më parë edhe ka ndodhur, pasi 2 Korriku ka prezantuar dy ardhjet e reja.

Sulmuesi Drin Ymeri dhe mesfushori Labinot Jetullahu edhe zyrtarisht janë pjesë e klubit.

Njoftimi i plotë nga klubi kryeqytetas:

Drin Ymeri dhe Labinot Jetullahu i bashkohen skuadrës

Klubi i Futbollit “2 Korriku” njofton se ka arritur marrëveshje me sulmuesin Ymeri si dhe me mesfushorin Jetullahu. Të dy futbollistët janë bashkuar me skuadrën në Durrës, atje ku skuadra tash e tre ditë është akomoduar dhe po përgatitet për stinorin pranveror.

Drin Ymeri, 21-vjeçar, luan në pozitën e sulmuesit qendror. Së fundmi, sulmuesi perspektiv ishte pjesë e skuadrës së Vitisë, ndërsa më parë ka qenë pjesë e skuadrave si Flamurtari dhe Ulpiana. Ymeri u shpreh i lumtur me kalimin e tij në kampin verdheblu, si dhe potencoi se me punë dhe angazhim maksimal sukseset padyshim se nuk do të mungojnë.

Labinot Jetullahu, 31-vjeçar, luan si mesfushor dhe ka përvojë të madhe në futbollin vendor. Jetullahu ka qenë pjesë e skuadrës së 2 Korrikut edhe më parë, kurse në stinorin vjeshtor që lamë pas u aktivizua te skuadra e Onix Banja. Mesfushori beson se me përvojën e tij do të arrijë që të ndihmojë shokët e skuadrës në sezonin e ri, që nis në muajin shkurt.