Raporti: Leci sulmoi fizikisht vëzhguesin Rasim Gimolli, Hajvalia në ‘listën e zezë’

Komisari i Garave i Federatës së Futbollit të Kosovës, Ismet Ahmeti, ka inicuar proceura disiplinore ndaj klubit të Hajvalisë, lojtarit të saj, Liridon Leci, dhe drejtorit të shkollës së futbollit, Ali Ajeti.

Sipas raportit, ndaj Hajvalisë është ngritur procedurë për shkak të lëshimeve në organizimin e ndeshjes, ku para dhe pas përfundimit të takimit ka lejuar persona civil të hyjnë në zhveshtore, ku edhe janë kërcënuar personat zyrtar të ndeshjes Hajvalia – Drita.

Ndërkohë, në raportin e vëzhguesit Rasim Gimolli, bëhet e ditur se Liridon Leci ka sulmuar fizikisht Gimollin.

“Ndaj lojtarit të KF “Hajvalia” Liridon Leci me nr lib3984 (motivi- ku para dhe pas përfundimit të ndeshjes kap për nofulle dhe sulmon personin zyrtar të ndeshjes R.Gimolli, ku lojtari në fjalë ishte në rroba civile në ndeshjen Hajvalia – Drita, e zhvilluar në Kizhnicë me datë 09.04.2016) sipas personave zyrtar të ndeshjes”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

Leci ditë më parë kishte mohuar sulmin, duke thënë se kanë pasur vetëm mosmarrëveshje me Gimollin.

Personi i tretë në ‘listën e zezë’, Ali Ajeti ndodhet për shkak të fyerjes dhe sharjes së personave zyrtar të ndeshjes, e në veçanti gjyqtarit kryesor të takimit në fjalë. /Olle