Kosova u21 bind me lojë të bukur dhe fiton ndeshjen ndaj Izraelit

Kombëtarja e Kosovës u21 ka shënuar fitoren e dytë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2025”.

“Dardanët” e rinj, triumfuan ndaj Izraelit, në ndeshjen e zhvilluar në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.

Golin e epërsi për Kosovën u21, e shënoi Bleron Krasniqi në minutën e gjashtë, ndërsa i njëjti lojtar dyfishoi avantazhin në minutën e 11-të, duke shënuar golin e tij të dytë personal. Izraeli u kundërpërgjigj në minutën e 24-të, duke e ngushtuar epërsinë në 2:1 me anë të mesfushorit Stav Nachmani.

Ishte Veton Tusha, ai që shënoi për rezultatin përfundimtar 3:1 në minutën e 80-të pas asistimit të Ardit Tahirit.

Dueli që u luajt në kuadër të Grupit D, përfundoi me rezultatin 3:1. Për Kosovën, kjo është fitorja e dytë në këtë cikël eliminator, në të cilin ka regjistruar edhe po aq barazime e humbje.

Aktualisht, renditet e treta në grup me 8 pikë, ndërsa Izraeli mbetet i fundit në grup pa pikë dhe tri ndeshje më pak të zhvilluara. Dy gola në pjesën e parë dhe një tjetër në të dytën, ia siguruan fitoren Kosovës U21. /Gazeta Olle/

Sylvinho nuk përmbahet pas kualifikimit, përqafon lojtarët dhe feston me muzikë popullore

Kosova cilësohet favorite për të fituar duelin me Bjellorusinë