Kosova e nis me humbje

Përfaqësuesja e Kosovës e ka nisur me humbje eksperiencën në FED Cup, respektivisht Botërori ekipor i tenisit për femra. Vashat kosovare u mposhtën 3:0 nga Mali i Zi, në kuadër të Grupit D, divizioni i tretë.

Tenistet kosovare, të cilat debutojnë në këtë eveniment, nuk ia dolën ta fitonin asnjë set në ditën e parë të kompeticionit që po mbahet në Mal të Zi. Në duelin e parë, Arlinda Rushiti u mposht nga Anja Draskovic, 0:2 në sete, 1:6 e 4:6.

Me rezultat identik humbi edhe tenistja tjetër kosovare, Edita Raca, e cila u mund nga Ana Veselinovic, 0:2 në sete, 0:6 e 2:6. Në duelin e tretë, në çifte, dyshja Anduena Latifi e Arlinda Rushiti u mundën nga dyshja Danka Kovinic e Ana Veselinovic, 0:2 në sete.

Duelin e radhës, Kosova do ta zhvillojë me Mozambikun, për të vazhduar më pas me Marokun dhe Norvegjinë. Synim i kosovareve është që ta fitojnë së paku njërin duel nga tri të mbetura. Muajin e kaluar, Kosova mori pjesë në Davis Cup me meshkuj, ku s’ia doli ta fitonte asnjë set, shkruan Zëri.