Heronjëve sot ju ndahen shpërblimet

Majlinda Kelmendi, Nora Gjakova dhe trajneri i tyre, Driton Kuka, sot do të shpërblehen nga shteti për suksesin e madh të arritur ditë më parë në Kazan të Rusisë.

Për këtë, kabineti i ministrit për Kulturë, Rini e Sport, Kujtim Shala, do të organizojë pritje.

“SOT (25.04.2016), ora 14:00, në kabinetin e Ministrit Kujtim Shala zhvillohet ceremonia e ndarjes së shpërblimeve shtetërore për xhudistet Majlinda Kelmendi, fituese e Medaljes së Artë në Kampionatin Evropian të xhudos që u mbajt në Rusi, dhe Nora Gjakovën, fituese e Medaljes së Bronztë në këtë kampionat. Si dhe për trajnerin e xhudisteve, Driton Kuka”, thuhet në njoftimin e MKRS.

Shpërblimet shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulmore ndahen në bazë të Rregullores Nr. 15/2013 për ndarjen e shpërblimeve shtetërore për sportistët që arrijnë rezultate kulminante në garat ndërkombëtare.

Sipas kësa, fituesja e Medaljes së Artë shpërblehet me shumën prej 20 mijë €, ndërsa fituesja e Medaljes së Bronztë shpërblehet me 8 mijë €.

Ndërkaq, trajneri shpërblehet me gjysmën e shumës së fituesve, 10 mijë, përkatësisht 4 mijë €. /Olle