Presin përkrahje

Sigal Prishtina pritet të ketë punë të vështirë në ndeshjen e parë gjysmëfinale e cila do të zhvillohet të mërkurën përballë Kozhuvit.

Trajneri i kryeqytetasve Marjan Ilievski, para ndeshjes ka parashikuar një ndeshje të vështirë duke shpresuar në fitoren e ekipit të tij.

“Çdo fitore me epërsi dyshifrore do të thotë shumë, por në gjysmëfinale zhvillohen dy ndeshje. Kështu që, mos të harrojmë se në Prishtinë luhet pjesëloja e parë dhe në Gjevgjeli e dyta. Pra, në të dyja ndeshjet duhet të japim gjithçka nga vetja për ta prekur finalen. Do të përpiqemi që ndeshjen e parë ta përfundojmë në favorin tonë, në mënyrë që të jemi paksa më të qetë për ndeshjen e kthimit.  Është me rëndësi se të gjithë e kemi parasysh rëndësinë e këtij dueli dhe e dimë se çfarë duhet të bëjmë. Tash kemi një ekip tjetër për dallim prej atij që e ka mposhtur Kozhuvin më herët dhe patjetër duhet ta shfrytëzojmë epërsinë e terrenit vendas”, u shpreh Ilievski

Ndryshe ai thotë se pret përkrahje të madhe në këtë ndeshje nga Plisat.

“Pres një përkrahje shumë të madhe nga tifozët, të cilët na ndihmojnë shumë. Mbi të gjitha jam i lumtur që ekipi është kompletuar prej ndeshjes me Craiovan dhe më nuk kemi probleme me lëndime që na kanë përcjellur prej fillimit të këtij viti. Tash një gjë e tillë i takon të shkuarës dhe jemi të gatshëm për ta dhënë maksimumin në këtë ndeshje të rëndësishme”, u shpreh në fund Ilievski