Portier pa “konkurrent”, pas Kosovës, Nurkoviç do Evropën me Flamurtarin

Tre portierë ka në dispozicion trajneri Shpëtim Duro, nga të cilët vetëm njëri është me eksperiencë.

Në ndryshim nga vitet e kaluara, kur Flamurtari ka pasur edhe një portier rezervë me eksperiencë, këtë vit kuqezinjtë kanë vetëm një “gardian” me përvojë dhe dy të rinj.

Bëhet fjalë për Adis Nurkoviç, si dhe portierët e tjerë që vijnë nga ekipi i të rinjve, Edi Sali dhe Pano Qirko. Në rast të ndonjë dëmtimi të mundshëm të Nurkoviç, vlonjatët mbeten “në hall” për portën, për shkak se dy portierët e tjerë nuk kanë minutat e nevojshme dhe eksperiencën e duhur në ekipin e parë. Sezonin e kaluar vlonjatët kishin portierë Argent Halilajn dhe Stivi Frashërin, të dytë.

nurkovic 2

ADIS NURKOVIÇ

Portieri i Kombëtares së Kosovës shikohet si titullar i padiskutueshëm te Flamurtari. 31- vjeçari ka lindur në Bosnjë, por zotëron pasaportë kosovare dhe u afrua te kuqezinjtë pas largimit të Argent Halilajt dhe Stivi Frashërit. Në këto kushte, si titullar kryesor i portës, Nurkoviç kërkon që të fitojë zemrat e vlonjatëve. Për të është eksperienca e parë në Shqipëri dhe kërkon që të qëndrojë sa më gjatë. Në një prononcim për “Panorama Sport”, portieri i Flamurtarit, Adis Nurkoviç, flet për aventurën e tij në Vlorë, mikpritjen dhe për fazën përgatitore.

nurkovic-780x439

“Flamurtari do të jetë aventura ime e parë në futbollin shqiptar. Më vjen mirë që kam ardhur te Flamurtari, një klub me traditë dhe me emër të madh. Jam ambientuar shumë shpejt, si me shokët e skuadrës, ashtu edhe me drejtuesit. Vlonjatët më duken shumë mikpritës. Këto ditë po zhvillojmë fazën përgatitore në Greqi dhe fazën e parë e kryem në Maqedoni. Këto përgatitje po na vlejnë shumë për konsolidimin e ekipit. Unë premtoj se do të jap maksimumin tim për realizimin e objektivave, duke vënë në shërbim të ekipit edhe eksperiencën që kam”, tha fillimisht Nurkoviç.

OBJEKTIVAT

Portieri thotë se kuqezinjtë duhet që të jenë në ekipet e vendeve të para në sezonin e ri. Sipas Nurkoviç, objektiv i klubit mbetet pjesëmarrja në Kupat e Europës dhe kjo gjë nuk duhet që të diskutohet. Por portieri i Kombëtares së Kosovës thekson se duhet hedhur vështrimi edhe në objektiva të tjerë, por gjithçka duhet të merret ndeshje pas ndeshjeje.

“Flamurtari është me traditë në futboll dhe kështu që edhe objektivat duhet që të jenë në përputhje me këtë traditë. Sa i përket sezonit të ri, ne duhet të rreshtohemi tek ekipet më të mira të Kategorisë Superiore. Objektiv i klubit janë Kupat e Europës dhe kjo gjë nuk duhet që të diskutohet. Po ashtu, ne duhet të shikojmë edhe më larg se kaq, për shkak se kemi elementë cilësorë. Flamurtari i ka të gjitha mundësitë për të bërë më të mirën dhe për të marrë maksimumin në sezonin që nis më 9 shtator”, u shpreh portieri.

nurkovic 12

KONKURRENCA

Adis Nurkoviç e pranon se merkatoja e verës e ka pasuruar ekipin dhe konkurrenca është e prekshme në çdo repart. Sipas portierit, konkurrenca është shumë pozitive dhe që do t’i japë një zhvillim edhe më të madh skuadrës.

nurkoviq

“Flamurtari ka lojtarë mjaft cilësorë. Kemi shumë konkurrencë në ekip dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Në të gjitha repartet kemi lojtarë mjaft cilësorë dhe kjo është shumë e rëndësishme për të realizuar objektivat. Kam shumë besim se të gjithë së bashku do të bëjmë më të mirën për ekipin dhe për realizimin e objektivave të klubit”, përfundoi Nurkoviç.

nurko