12 ndeshje pa gol: “Më mirë të luanim pa sulmues”

Trepça përjetoi humbjen e 11-të këtë vit, duke mos mundur të arkëtojë asnjë pikë. Të shtunën u mundën 4:0 në kryeqytet nga Prishtina, duke çuar duart lart sa i përket mbijetesës.

Trajneri Fidaim Haxhiu thotë se sulmuesit e tyre nuk kanë shënuar gol qe 12 ndeshje, dhe për këtë merr përgjegjësinë që i aktivizoi edhe sot.

“Deri në minutën e 30-të ishte ndeshje e bukur nga ana jonë duke pasur disa gjysmëraste. Por, nga ajo periudhë më nuk kemi pasur lojë dhe s’kemi luajtur fare, pa motiv. Gabimi ishte i imi, sepse është dashur të luajmë pa asnjë sulmues, edhe ashtu s’kemi shënuar në dymbëdhjetë ndeshje, por u dashtë të aktivizoj më shumë mesfushor, që të bëjmë disi lojë dhe mos të pësojmë kaq thellë”, deklaroi Haxhiu pas ndeshjes.

Ai tha se skuadra e tij ishte me fat që nuk pësuan më shumë gola. “Prishtina ishte më e mirë se ne në çdo aspekt, ka individ që sidomos shfrytëzojnë rastet një me një, çka ne nuk kemi që e bëjnë diferencën, deri sa Prishtina ka pesë-gjashtë kësi futbollistësh. Sa herë ka gjuajtur ka shënuar gol dhe fati ynë ishte se nuk gjuajtën më shumë se do të shënonin ende. Për ne tash e tutje vlen ripërtëritja e ekipit me të rinj, që të përgatitemi për Ligën e parë, sepse është e pamundur të mbesim më, nuk kemi më shumë kualitet”, shtoi ai. (Gazeta Olle)