“Olle” formacioni i javës në Superligë

Skema e formacionit të mesjavës vjen 4-2-3-1, me trajner Erdogan Celinën e Lirisë. Shikoni më poshtë 11-shen e xhiros së 24-të të Raiffeisen Superligës, sipas redaksisë së “GazetaOlle.com”.

Portier – Armend Ruxhi. I pakalueshëm për Hajvalinë. Gardiani i Lirisë ishte në top-formë të mërkurën. Përvoja në kombinim me reflekset e tij, e mbajti rrjetën të paprekur në triumfin 3:0.

Mbrojtja – Haxhi Shala rezultoi vendimtar në fitoren e Feronikelit ndaj Dritës dhe vendoset në të djathtë, pozitë nga e cila i shënoi dy golat. Në mes Fidan Gërbeshi i Niklit e Ilir Izmaku i Vushtrrisë, ndërsa në të majtë Edmond Turku i Trepçës ’89.

Mesfusha – Vjen me dy defensivë dhe tre ofensivë. Prapa “stacionohen” Blendi Memaj që shkëlqeu për Lirinë ndaj Hajvalisë dhe Fatlum Gashi, që ia dha tri pikë Istogut ndaj Dritës. Treshja e avancuar përpara nga Kreshnik Lushtaku i Prishtinës, Daut Maxhuni i Vushtrrisë dhe Liridon Fetahaj i Lirisë.

Sulmi – ‘Berko’! Berat Hyseni shënoi gol dhe fitoi shumë duele ndaj Llapit.  Rrjeta e dytë në tri ndeshjet e fundit për të, me të cilat i sinjalizon ekipet tjera elitare se duhet t’i hapin sytë mirë.

Trajner – Erdogan Celina. Ndërpreu serinë e jashtëzakonshme të Hajvalisë, madje me një fitore të pastër 3:0. Tekniku i Lirisë meriton epitetin e trajnerit të javës.

070416210624